Spahiu në protestën “Jo në emrin tim”: Historia nuk mund të rishkruhet

Prishtinë | 01 Tet 2026 | 17:35 | Nga Ekonomia Online

Në protestën e organizuar nga “Liria ka Emër” me moton “Jo në emrin tim”, në Prishtinë, studenti Granit Spahiu ka kujtuar protestën studentore të 1 Tetorit 1997, duke thënë se kjo datë për studentët e Kosovës është shumë më tepër se një datë në kalendar, raporton Ekonomia Online.

Në fjalimin e tij, Spahiu ka folur për rëndësinë e protestës së studentëve të Universitetit të Prishtinës në vitin 1997, duke e lidhur atë me periudhën që pasoi dhe me luftën në Kosovë.

“Por ne sot e dimë se çfarë erdhi më pas. Erdhi lufta. Erdhi koha kur fjala “liri” nuk ishte më vetëm një kërkesë, por u bë një betejë për jetë a vdekje. Dhe në atë kohë, njerëz të ndryshëm morën mbi vete përgjegjësi të mëdha. Në mesin e tyre ishin edhe ata që sot i njohim si krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe që sot ndodhen padrejtësisht në Hagë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi”, tha Spahiu.

Spahiu ka thënë se lufta nuk mund të shkëputet nga ngjarjet që i paraprinë asaj, duke theksuar përgjegjësinë që, sipas tij, ka brezi i pasluftës për ta njohur historinë.

“Nuk mund ta shkëputësh luftën nga ajo që kishte ndodhur para saj. Nuk mund ta shikosh vitin 1998 apo 1999 pa e parë edhe vitin 1997. Nuk mund ta shikosh UÇK-në pa e kuptuar historinë që e solli deri te lufta. Dhe nuk mund të flasësh për Kosovën e sotme pa kujtuar njerëzit që në ditët më të vështira morën përgjegjësi mbi vete. Prandaj sot, si student, dua t’u drejtohem sidomos studentëve të Kosovës. Ne jemi brezi që kemi ardhur pas luftës. Ne nuk i kemi përjetuar ato ditë, por kemi përgjegjësi t’i njohim ato”, tha ai.

Në fund, ai ka thënë se studentët duhet të jenë zëri dhe ndërgjegjja e shoqërisë, duke përcjellë mesazhin se sakrifica e së kaluarës nuk duhet harruar.

“Dhe nëse studentët e 1 Tetorit 1997 patën guximin të dalin në rrugë kur e dinin se mund të përballeshin me dhunë, atëherë ne sot nuk kemi të drejtë të jemi indiferentë. Sepse studentët nuk janë vetëm ata që ulen në auditore dhe marrin provime. Studentët janë edhe zëri i një shoqërie. Janë kujtesa e saj. Janë ndërgjegjja e saj. Prandaj, nga ky shesh i Prishtinës, 29 vite pas atij 1 Tetori historik, ne po themi vetëm një gjë: Historia nuk mund të rishkruhet! Nuk e harrojmë sakrificën! Dhe nuk heqim dorë nga kërkesa për drejtësi”, tha ai.

Të ngjashme