Juristi Kreshnik Spahiu e cilësoi si lajm të mirë për mbarë kombin shqiptar liberalizimin e vizave për Kosovën. Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Euronews Albania, Spahiu theksoi se më në fund dhe me një kosto të lartë, Kosova mundi të fitonte lirinë e lëvizjes në Shengen, duke i dhënë fund pengamrrjes së qarkullimit nga BE.
Spahiu tha se uron që “nga Kosova të mos largohen 500 mijë emigrantë si Shqiperia”. Por kjo sipas tij varet nga sa njerëzit janë të lumtur me qeverisjen në Kosovë dhe prosperitetin e tyre ekonomik.
“Padyshim që ky është lajmi më i mirë për kombin shqiptar. Gjysma e kombit shqiptar doli nga izolimi në vigjilje të vitit 2024 dhe dalja nga izolimi është një prognozë për zhvillim, përhapje dhe për integrim të gjysmës së kombit shqiptar. Ishte një lloj pengamrrje e qarkullimit për shqiptarët.
Ka qenë një vendim i padrejtë dhe i vonuar i BE, ku me thënë të drejtën është marrë me kosto shumë të lartë. Kosovës i është dashur të paguaj shumë për të arritur hapjen e kufijëve dhe lirinë në kufijtë e Shengenit. Ajo që do kisha dëshiruar ishte që mesazhin kryeministri i Kosovës, qoftë në cilësinë e kapitenit të fluturimit të Kosovës drejt BE-së, do doja që ai ta shikojë Kosovën në BE dhe jo shqiptarët në emigracion.
Nëse kjo ka qenë një sukses apo jo i qeverisë do ta shikojmë për 6 muaj. Nëse do të largohen 3 ose 400 mijë për të mos u kthyer më do të thotë që populli i Kosovës është i pakënaqur me qeverisjen e tij”, tha Spahiu.