Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka thënë se Gjermania duhet t’i përdorë vaksinat kineze dhe ruse, nëse ato miratohen nga BE-ja, ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se Evropa duhet ta zgjerojë fushatën e vaksinimit.
Duke folur para një samiti urgjent me prodhuesit e vaksinës, ministri Spahn tha: “Nëse një vaksinë mund të vlerësohet e sigurt dhe efektive, pavarësisht shtetit ku është prodhuar, atëherë ajo mund të ndihmojë.”
Kancelarja Angela Merkel, e cila do ta udhëheqë këtë samit, është nën trysni që ta përshpejtojë programin e vaksinimit, me të cilin deri tani janë vaksinuar dy milionë persona, shifër e ulët në krahasim me dhjetë milionë të vaksinuar në Britaninë e Madhe, ndonëse Gjermania tashmë ua ka dhënë dozën e dytë më shumë njerëzve sesa Britania.
Qeveria gjermane është kritikuar nga profesionistët shëndetësorë për proces shumë të ngadalshëm të vaksinimit dhe për mungesë të trysnisë ndaj Komisionit Evropian për të bërë më shumë për këtë çështje, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Pasi disa rajone gjermane u detyruan që ta anulojnë procesin e vaksinimit për shkak të mungesës së dozave, ekspertët ligjorë e kritikuan ashpër kontratën mes Komisionit Evropian dhe kompanisë “AstraZeneca”.