Spajiq: Po përgatiten veprime për destabilizimin e Malit të Zi, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të dy shteteve të rajonit

Prishtinë | 27 Gus 2026 | 20:40 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, deklaroi të enjten se autoritetet e këtij vendi kanë “informacione serioze operacionale të sigurisë” se mbyllja e paralajmëruar e kapitujve në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian do të shoqërohet me veprimtari të koordinuar hibride, në të cilën janë përfshirë zyrtarë të të paktën dy shteteve të rajonit.

Në një postim në X, Spajiq nuk tregoi se cilat janë këto dy shtete dhe as nuk dha ndonjë provë konkrete për të mbështetur këto pretendime.

“Sipas informacioneve tona, këto aktivitete synojnë destabilizimin e Malit të Zi, me mbështetjen e pritshme të aktorëve të caktuar politikë dhe një pjese të skenës mediatike në vendin tonë”, shkroi Spajiq.

Mali i Zi synon që deri në fund të vitit t’i mbyllë përkohësisht të gjithë kapitujt e negociatave, në mënyrë që të realizojë objektivin strategjik për anëtarësim në BE gjatë vitit 2028.

“Përpjekjet për destabilizim nuk do ta ndryshojnë kursin tonë dhe as nuk do ta ndalin rrugën evropiane të Malit të Zi, e cila është më e madhe se interesi i përditshëm i cilësdo strukturë politike”, shkroi Spajiq në X.

Megjithëse Spajiq nuk bëri të ditur se nga cilat shtete të rajonit mund të jenë zyrtarët e përfshirë në aktivitetet hibride kundër Malit të Zi, këtë vit janë shtuar tensionet mes Beogradit dhe Podgoricës.

Në anën tjetër, çështjet e hapura mes Malit të Zi dhe Kroacisë mund t’ia vështirësojnë Podgoricës përfundimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në.

Autoritetet malazeze thonë se një pjesë e strukturave politike në Beograd nuk janë të gatshme ta pranojnë Malin e Zi si shtet sovran.

Serbia ua ka ndaluar hyrjen disa gazetarëve malazezë, pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi masa reciproke pas vendimit të autoriteteve në Podgoricë për t’ia ndaluar hyrjen kryeredaktorit të tabloidit Informer, Dragan Vuçeviq, i afërt me autoritetet në Beograd. Në Mal të Zi, në fund të majit, u kufizua për gjashtë muaj ritransmetimi i programeve të televizionit serb Informer TV.

Një ditë para samitit të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, i mbajtur në fillim të qershorit në Tivat, nga Mali i Zi u dëbua, me arsyetimin se përbënin “rrezik për sigurinë”, një grup prej rreth 90 burrash, në mesin e të cilëve Radio Evropa e Lirë identifikoi përkrahës të autoriteteve në Serbi dhe persona që kishin sulmuar protestuesit antiqeveritarë.

Sa u përket marrëdhënieve mes Podgoricës dhe Zagrebit, Kroacia këmbëngul në zgjidhjen e disa çështjeve dypalëshe të hapura, në mesin e të cilave janë dëmshpërblimet për ish-të burgosurit e kampeve, 14 personat e zhdukur nga Lufta për Atdheun, ndjekja penale e krimeve të luftës, zgjidhja e kërkesave pronësore-juridike të shtetasve kroatë dhe demarkimi i kufirit detar. /REL

Të ngjashme