SPAK u drejtohet kandidatëve për kryeministër: Koha e premtimeve ka kaluar, kërkohen masa të guximshme për shërbimin civil

Prishtinë | 01 Dhj 2025 | 20:00 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës (SPAK) ka publikuar një letër të hapur drejtuar kandidatëve për Kryeministër të Republikës së Kosovës, ku shpreh shqetësimin për gjendjen e rënduar të shërbimit civil dhe kërkon veprime urgjente për përmirësimin e kushteve të punonjësve publikë.

Në komunikatën e shpërndarë, SPAK thekson se pavarësisht angazhimit profesional të shërbyesve civilë, problemet me të cilat ata përballen janë bërë “të pashmangshme dhe të papranueshme”. Sindikata përmend pagat e ulëta, mungesën e harmonizimit të vendeve të punës, kushtet e papërshtatshme të punës dhe mungesën e ligjeve të rëndësishme si ai për sigurimet shëndetësore dhe sociale.

“Këto probleme nuk janë më çështje durimi; ato përbëjnë rrezik serioz për funksionimin efikas të institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.

SPAK liston gjithashtu një sërë kërkesash që, sipas sindikatës, duhet të marrin prioritet nga qeveria e ardhshme. Ndër to përfshihet rritja e koeficientit të pagave së paku për 50%, procedimi urgjent i ndryshimeve në Ligjin për Pagat dhe Ligjin për Zyrtarët Publikë, funksionalizimi i Këshillit Ekonomiko-Social dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive.

“Koha e premtimeve të përgjithshme ka kaluar. Administrata publike kërkon angazhim të qartë, politika konkrete dhe vendimmarrje të guximshme”, thekson kryetari i SPAK-ut, Ali Gashi.

Sindikata kërkon gjithashtu fillimin e menjëhershëm të zbatimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor, hartimin e një ligji të veçantë pensional për të punësuarit pas luftës së viteve 1998–1999, si dhe zgjidhjen e problemeve në platformën E-Kosova që prekin funksionimin e sindikatave.

SPAK apelon që qeveria e ardhshme të ndërmarrë hapa konkretë për modernizimin e shërbimit civil, duke theksuar se vetëm kështu qytetarët do të përfitojnë shërbime më profesionale, cilësore dhe efikase.

Të ngjashme