Trajneri i Interit, Luciano Spalletti, beson se ka një arsye të thjeshtë që ekipi i tij ka lëshuar pikë gjatë gjashtë javëve të fundit. Sipas tij, Interi nuk është treguar mjaft i shkathët. Kështu që ai beson se shkathtësitë do të dalin në pah prej ndeshjes së ardhshme, që ekipi i tij e luan të mërkurën (sot).
Prej orës 20:30 Interi e pret në shtëpi skuadrën e Napolit, në ndeshjen derbi të xhiros së 18-të të Serie A. Interi aktualisht zë vendin e tretë me 33 pikë, tetë më pak se Napoli (41) që është i dyti. Prin Juventusi me 49 pikë.
Si Interi ashtu edhe Napoli kishin pikë të barabarta në fillim të muajit nëntor. Por derisa Interi lëshonte pikë, Napoli e bënte të kundërtën. Ekipi i Carlo Ancelottit tri ndeshjet e fundit në Serie A i ka fituar falë golit të shënuar në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes. Ndërkohë Interi edhe vikendin e shkuar i lëshoi dy pikë të çmuara kur barazoi me Chievon (1:1), pasi pranoi gol në kohën shtesë.
Kjo ka bërë që Spalletti të mbetet i frustruar dhe të kërkojë më shumë prej lojtarëve të tij. Ai shpreson që ndaj Napolit të mos përsëriten skenat e ndeshjeve të shkuara. Sipas tij, Interit i duhet patjetër fitorja në këtë derbi edhe pse pranoi se nuk do të jetë lehtë.
“Është shumë e qartë që situatat e tilla duhet t’i menaxhojmë më mirë, të jemi të fokusuar, të tregohemi të shkathët deri në fund të ndeshjes. Nëse i shfrytëzojmë të gjitha rastet, atëherë fitoren do ta kemi të garantuar. Kemi cilësi dhe pres që ndaj Napolit të tregojmë forcën tonë të vërtetë”, është shprehur Spalletti. “Napoli është një ekip shumë i fortë, por jam optimist për fitore, besoj që ka ardhur radha të marrim tri pikë pas një pritjeje të gjatë. Pres të jetë derbi i vërtetë, por që në fund të festojmë ne”.
Në këtë ndeshje Interi do të jetë pa mesfushorin belg Radja Nainggolan që është suspenduar për mosdisiplinë, derisa Napoli do të jetë i kompletuar. Napoli po shihet si ekipi i vetëm që ndoshta mund t’i bëjë rivalitet Juventusit, që po marshon drejt titullit të tetë rresht. Trajneri i Napolit, Ancelotti, nuk dëshiron të fokusohet në garën për titull, pasi insiston se përballja me Interin është ajo që duhet t’i kushtojë vëmendje. Napoli ka fituar në katër ndeshjet e fundit derisa nuk ka pranuar gol në tri të fundit në Serie A.