Auditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Vlora Spanca, ka bërë të ditur se janë dorëzuar në Kuvend dy raportet e auditimit për të Hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012 – 2021 dhe funksionimin e sistemit të Grantit të përformancës komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga donatorët për vitin 2021, raporton Ekonomia Online.
Nga këto raporte, Spanca ka thënë se rreth 41% e mostrave të testuara kanë rezultuar me parregullsi dhe vlera potenciale e humbjes nga këto raste të testuara është mbi 800 mijë euro, mirëpo kjo vlerë, sipas saj, mund të jetë edhe më e lartë.
Ajo ka thënë se AKP ka dështuar të ruajë dhe të rrisë vlerën e pronave dhe aseteve të dhëna me qira të cilat ishin nën administrimin e saj.
Gjithashtu auditimi ka vënë në pah se në disa raste pronat janë dhënë me qira pa e përcaktuar qëllimin e shfrytëzimit, për rrjedhojë një pronë ishte eksploatuar për qëllime të nxjerrjes dhe përpunimit të gurit gëlqeror për së paku dhjetë vite duke eksploatuar mbi 300,000 metra kub gur gëlqeror përderisa AKP-ja ka përfituar vetëm 4,511 euro të hyra nga qiraja.
Ndërsa në katër raste të tjera pronat e AKP-së nuk ishin menaxhuar si duhet dhe si rezultat i keqmenaxhimit humbjet potenciale janë vlerësuar në vlerë 505,327 euro. AKP- ja kishte lidhur kontratë për tokën bujqësore me sipërfaqe 10,007m2 me çmim prej 122 euro në muaj, ndërsa në tri raste të tjera edhe pse janë bërë ndryshime të kushteve të kontratës AKP-ja ka nënshkruar kontratat pa miratimin e Bordit Drejtues.
Tutje Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka treguar se një dukuri domethënëse të cilën e ka identifikuar auditimi tek 12 raste është se AKP-ja me rastin e lidhjes së kontratave për qiradhënie nuk ka bërë hulumtimin e tregut për të përcaktuar çmimin e qirasë në përputhje me vlerën e tregut, madje nuk kishte marr parasysh as çmimin e kontratave referente.
“Bazuar në atë çfarë kemi gjetur, konkluzioni i auditimit është se Agjencia Kosovare e Privatizimit ka dështuar të ruajë dhe të rrisë vlerën e pronave dhe aseteve të dhëna me qira të cilat ishin nën administrimin e saj.”
“ZKA ka gjetur se rreth 41% e mostrave të testuara kanë rezultuar me parregullsi dhe vlera potenciale e humbjes nga këto raste të testuara është mbi 800 mijë euro. Duhet theksuar se kjo humbje potenciale është vetëm duke ju referuar vlerës së kontratave të Agjencisë, përndryshe humbja mund të jetë edhe më e lartë sikur të merrej për bazë vlera e çmimit të tregut për qiratë e pronave në zona të ngjashme”, ka thënë tutje ajo.
“ZKA vlerëson se masa të shpejta rigoroze kërkohet të ndërmerren për të përmirësuar proceset e dhënies më qira të pronave të administruara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Gjithashtu, edhe komunat duhet të ndërmarrin veprime për të përmirësuar menaxhimin e granteve të donatorëve”.
“Për sa i përket auditimit për ‘Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit’, objektivi i këtij auditimi ishte të vlerësohet nëse Agjencia ka menaxhuar si duhet pronat dhe asetet tjera të dhëna me qira në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ky auditim përfshinë procesin e dhënies së pronave dhe aseteve me qira për periudhën 2012 deri në vitin 2021 dhe ishte bërë më kërkesë të Kuvendit të Kosovës, përkatësisht Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, e adresuar nga Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike dhe e miratuar nga ana ime si Auditore e Përgjithshme”, u shpreh Spanca.