Banka e Spanjës u bëri thirrje vendeve të eurozonës të ngrisin një skemë të sigurimit të depozitave për të krijuar një fond stabilizimi, përderisa paralajmëroi rreziqet për ekonominë e bllokut, siç është, pasiguria e procesit të Brexit-it (daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja).
Evropa ballafaqohet me rreziqe të mëdha për shkak të planeve të Britanisë për të lënë BE-në, borxhet e larta kombëtare, plakjen e popullsisë dhe produktivitetin e ulët, tha Banka e Spanjës.
Skema Evropiane e Sigurimit të Depozitave (EDIS) është pjesa që mungon në planin për një union bankar të plotë të eurozonës, i cili synon që sektori financiar të jetë më fleksibil ndaj goditjeve financiare.
“Është e nevojshme të kompletohet (rishikimi) i Bashkimit Ekonomik dhe Monetar për të shmangur që monedha e përbashkët të jetë ende e ekspozuar ndaj tensioneve në rast të trazirave të nivelit të lartë”, tha të martën Guvernatori i Bankës së Spanjës, Pablo Hernandez de Cos.
Gjermania, Holanda dhe vendet e tjera veriore kanë frikë se marrëveshja EDIS do të nënkuptonte se ato mund të ngarkoheshin me ripagimin e depozitave në vende si Italia, Greqia apo Portugalia, ku bankat janë të pambrojtura , shpesh si një trashëgimi e krizës së borxhit të viteve 2010-2015.
Bashkimi bankar duhet të përfundojë përpara se zona euro të përballet me një recesion tjetër apo krizë financiare, i tha agjencisë Reuters, një burim në Bankën e Spanjës.