Spanja sekuestron sasinë më të madhe të kokainës në histori të vendit brenda kutive me banane

Prishtinë | 25 Gus 2023 | 14:23 | Nga Ekonomia Online

Policia dhe doganat spanjolle kanë njoftuar të premten që kanë sekuestruar 9.5 tonë kokainë nga Ekuadori, dhe që besohet të jetë më e madhja në historinë e vendit.

Droga u kap në portin e Algeciras në jug të Spanjës dhe përbën dërgesën më të madhe të fshehur të kokainës në Spanjë deri më sot, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.

Kokaina ishte fshehur në një kuti bananesh në një kontejner bënë të ditur autoritetet spanjolle.

Ky operacion përbën “një goditje të paprecedentë ndaj një prej organizatave kriminale më të rëndësishme në botë, të përfshira në shpërndarjen e kokainës, e cila ishte e destinuar për rrjetet kryesore kriminale në Evropë”, thuhet në njoftimin për shtyp, mirëpo kjo organizate mbetet ende e panjohur për faktin që njoftimi u publikua pa e identifikuar organizatën.

Në dërgesë u zbuluan logot e më shumë se 30 organizatave kriminale evropiane. Shumë nga pakot ishin të markuara me fjalën “Hitler”, e ngjashme me një ngarkesë kokaine që u kap në Peru gjatë rrugës për në Belgjikë në maj të këtij viti.

Në atë kohë, autoritetet thanë se po hetonin nëse dërgesa kishte ndonjë lidhje me grupet neo-naziste evropiane, por ishte gjithashtu e mundur që etiketat të përdoreshin thjesht si kod për të treguar marrës të veçantë.

Të ngjashme