Specialja i përgjigjet ish-kreut të LPK-së që kërkoi mbrojtje në liri për Gucatin

Prishtinë | 20 Tet 2020 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Ibrahim Kelmendi, ditë më parë kishte kërkuar nga gjykatësi i Dhomave të Specializuara, Nicolas Guillou, që ta lejonte Hysni Gucatin, të dyshuarin për krime lufte nga gjykata respektive, të mbrohej në liri. Lidhur me këtë, kanë dhënë përgjigje Dhomat e Specializuara.

Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara, ka deklaruar se “z. Ibrahim Kelmendi nuk ka pozitë ligjore në procedurën në fjalë“, duke iu përgjigjur pyetjes se a do kishte mundësi të ndodhte mbrojtja në liri e Gucatit, shkruan Gazeta Express.

“Gjyqtarët nuk mund të kenë komunikim me palë të treta për çështje që lidhen me procedurat gjyqësore në vazhdim, përveç se përmes kanaleve zyrtare, me fjalë të tjera përmes regjistrimeve zyrtare nga palët me pozitë ligjore në procedurë. Kjo ndodh për të siguruar integritetin dhe pavarësinë e procedurave”, ka deklaruar Doyle.

Ditë më parë, ish-kreu i LPK-së, Ibrahim Kelmendi, përmes një letre publike iu është lutur gjykatësit francez të Dhomave të Specializuara, Nicolas Guillou, që Hysni Gucati mbrohej në liri. Sikurse Kelmendi, një kërkesë të njëjtë e kishte bërë edhe avokati mbrojtës i Gucatit, Jonathan Ellison Rees.

“Nëse vërtet dyshoni se Z. Gucati nuk do t’u përmbahet detyrimeve, në rast se Ju do ta lironit të mbrohet në liri, po paraqitëm unë vullnetar të vi në vend të tij në burg hetues, sepse e besoj Z. Gucati që nuk do të nepërkëmbë detyrimet që do t’i vendosni Ju. E bëj këtë për arsye humanitare, meqë nuk ndihem mirë që ai, me atë gjendje sociale e humanitare, të vuaj në burg hetues në Hagë, por edhe sepse ndiej obligim moral për kontributin dhe sakrificat e tij në Luftën e drejtë, çlirimtare, që bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës kundër pushtimit nacionalist-neofashist serb”, shkroi Kelmendi në profilin e tij.

Madje, ai premtonte se do të ofronte miliona euro si formë garancie, në rast të aprovimit të kërkesës për mbrojtje në liri.

“Po të isha i pasur, do jepja miliona, nëse do t’i vendosnit Ju, si kusht garantues. Përndryshe, caktoni një shumë dhe besoj se do të ketë biznimen që do t’i jep. Bile, edhe Qeveria e Republikës së Kosovës, besoj, do të ofron cilindo garanci që do t’ia kërkonit Ju”, shkruhej tutje në postimin e tij.

Kreu i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Kosovës, Hysni Gucati u arrestua më 25 shtator në Kosovë nga Zyra e Prokurorit Specialist, pas lëshimit të një urdhër arresti dhe urdhër transferimi të lëshuar nga një gjyqtar i procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Kreu i OVL-UÇK’së, dyshohet për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar. 

Të ngjashme