Gjykata Speciale në Hagë ia ka vazhduar paraburgimin ish-kreut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Kransiqit. Gjyqtari i procedurës paraprake Nicollas Guillou ka marrë këtë vendim me arsyetimin se ekziston rreziku që të ikë dhe pengojë procedurat ose të kryejë krime të tjera.
“Ekziston një rreziku që Jakup Krasniqi të arratiset dhe të pengojë progresin e procedurës, ose të kryejë vepra të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova në këtë rast dhe/ose duhet të paraqiten para DHSK-së” – sqarohet në vendim. Gjykatësi ka urdhëruar mbrojtjen e Krasniqit se nëse dëshiron të deponojë parashtresa për rishikimin e ardhshëm të paraburgim duhet ta deri më 17 tetor.
Ndërsa Prokuroria është urdhëruar të kthejë përgjigje jo më larg se 24 tetori, kurse mbrojtja për të kthyer përgjigje ndaj parashtresave të ZPS-së është urdhëruar që të njëjtën ta bëj jo më larg se 31 tetori.
Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?
Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.
Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.
Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999, pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.