“Spektakël politik”, Tahiri: S’marrim pjesë në diskutimet për zgjedhjen e presidentit

Prishtinë | 27 Pri 2026 | 17:12 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar se kjo parti nuk do të marrë pjesë në seancë ku do të diskutohet për zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar gjithë procesin si spektakël politik, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se vendi ka pasur kohë të mjaftueshme për të zhvilluar diskutime serioze, por sipas tij, deri më tani nuk ka pasur përpjekje reale për arritjen e një kandidati konsensual.

“Kosova i ka pasë tre muaj për të diskutu seriozisht për zgjedhjen e presidentit që nga formimi i qeverisë e deri në ditën e sotme. E kemi thënë nga dita e parë, vazhdojmë të themi edhe tash. Diskutimet për zgjedhjen e presidentit kanë qenë një spektakël politik, një performancë publike me një qëllim vetëm politik me ardhë në këtë situatë dhe në këto rrethana ku jemi edhe disa orë derisa do të përfundojë afati për zgjedhjen e presidentit dhe ne ende nuk kemi asnjë emër përveç emrave të cilët i ka propozua Lëvizja Vetëvendosje dhe që janë zyrtarë të Vetëvendosjes dhe nuk janë kandidatë unifikues, konsensualë të partive politike”, tha ai.

Tahiri theksoi se AAK-ja nuk ka qenë e përfshirë në procesin e diskutimeve dhe për këtë arsye nuk do të marrë pjesë në një seancë që, sipas tij, po përdoret për diskutime të brendshme politike.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka qenë e ftuar në diskutime, nuk kemi marrë fare pjesë, dhe rrjedhimisht ne nuk marrim pjesë në një diskutim që prapë asht një performancë publike, kësaj radhe siç po shihet do të jetë një performancë publike, nji diskutim me folë vetë me vete. Pra zoti Kurti në qoftëse flet në këshillin drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje ose në organet e partisë, po don që platformën e Kuvendit ta kthejë në diskutim të brendshëm pa e thirrë një seancë që do të duhej të ishte me një pikë të rendit të ditës: votimi i presidentit të Republikës së Kosovës. Pra kjo seancë asht edhe një vazhdim i një spektakli publik, politik që po e çon fatkeqësisht për qytetarët e Kosovës, për një milion qytetarë që do të duhet të dalin prapë në zgjedhje. Ndaj ne nuk marrim pjesë”, tha ai.

Të ngjashme