Agjencia më e madhe ndërkombëtare e modës, Gecjan Fashion Group, nis përgatitjet për edicionin e ardhshëm të spektaklit “Miss Shqiptarja në Botë 2024”.
Në një intervistë për Klan Kosova, producenti i Gecjan Fashion Group, Ilir Geci ka zbuluar detaje rreth organizimit dhe interesimit të jashtëzakonshëm të vajzave për këtë event.
“Deri më tani kanë aplikuar mbi 1000 vajza nga vende të ndryshme të botës ku jetojnë shqiptarët dhe ky numër pritet të jetë edhe më i madh deri në fund të konkursit”, tha Geci.
Ai gjithashtu theksoi se evenimentet e organizuara nga Gecjan Fashion Group për 20 vite me radhë i kanë dhënë drejtimin e merituar spektakleve të modës në botën shqiptare.
Mbi 20 mijë euro shpërblime, dhurata, bursa studimi etj., pritet të shpërndahen në natën finale të këtij spektakli madhështor. Konkurrentët do të sfidojnë njëri-tjetrin në garën për ikonën e bukurisë shqiptare në botë, përmes sfilatave të ndryshme, seteve fotografike, komunikimit etj. Nga shumë vajza konkurrente, nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës dhe diasporës shqiptare, juria profesionale do të përzgjedhë fillimisht 60 vajza që do të hyjnë në gjysmëfinale të spektaklit.
Pas gjysmëfinales, vetëm 30 prej tyre do të arrijnë të jenë pjesë e natës finale për garën e më të bukures shqiptare në botë për vitin 2024.
Audicionet do të zhvillohen në Shqipëri, Kosovë, Zvicër, Gjermani, Itali, Belgjikë dhe Maqedoni. Afati i fundit për aplikimin e vajzave është deri më 1 tetor.
Spektakli Miss Shqiptarja në Botë, për sa i përket numrit të konkurrentëve, çmimeve që do të ndahen në event dhe nivelit të organizimit, mund të llogaritet si një nga eventet më të mëdha garuese të modës në Evropë. Ky spektakël pritet të organizohet në fund të këtij viti.