Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) ka falënderuar punëtorët e RTK-së për angazhimin dhe përkushtimin e treguar gjatë protestave dhe veprimeve sindikale të javëve të fundit. Në njoftim theksohet se falë vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve buxhetore që do t’i mundësojnë RTK-së tejkalimin e krizës aktuale financiare, protesta e paralajmëruar për datën 18 gusht është anuluar.
Një mirënjohje e veçantë është shprehur për punëtorët që, pavarësisht se nuk morën paga për dy javë, nuk e ndërprenë punën, duke mbrojtur misionin e transmetuesit publik për informim të qytetarëve. SPERTK ka falënderuar gjithashtu Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), mbi 15 milionë sindikalistë në SHBA, Qendrën Solidare, Sindikatën e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias në Shqipëri (SGPM), si dhe të gjitha mediat në Kosovë dhe Shqipëri që u solidarizuan.
Sindikata i ka bërë thirrje Kuvendit të ri të Kosovës që me urgjencë të miratojë Ligjin e ri për RTK-në, të sigurojë financim të pavarur dhe rritje të buxhetit, si dhe ndryshim të formës së raportimit financiar nga një herë në tre muaj në një herë në vit. Po ashtu, është kërkuar plotësimi i Bordit të RTK-së dhe pozitave udhëheqëse, në mënyrë që të forcohet funksioni i transmetuesit publik.
Në njoftim bëhet e ditur gjithashtu se të gjitha dokumentet e mbledhura përmes pëlqimit të punëtorëve për padi do të asgjësohen sipas ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe se padia nuk do të dërgohet në Gjykatë. SPERTK ka falënderuar avokatin Yll Zeka për ndihmën e dhënë pro bono në mbështetje të punëtorëve të RTK-së.