Spitalet britanike i kanë shënuar 215 raste fatale të shkaktuara nga koronavirusi gjatë 24 orëve të kaluara.
Nga kjo shifër, 179 viktima u shënuan Angli, 17 në Uells, 11 në Skoci dhe tetë në Irlandën Veriore, shkruan “Metro UK”.
Kjo shifër është preliminare, sepse aty nuk përfshihen rastet që kanë ndodhur në shtëpitë e të moshuarve ose në vende të tjera jashtë spitaleve.
Departamenti i Shëndetësisë pritet që më vonë gjatë ditës ta publikojë shifrën zyrtare të viktimave.
Sipas të dhënave të Zyrës për Statistika Kombëtare, deri më 22 maj në Angli dhe Uells janë shënuar 44,401 të vdekur nga Covid-19.
Britania e Madhe e ka numrin më të lartë të viktimave të sëmundjes së re në Evropë dhe ndodhet në pozitën e dytë në botë pas Shteteve të Bashkuara.
Pavarësisht gjendjes shqetësuese, qeveria britanike ka vendosur t’i rihapë shkollat, pavarësisht kundërshtimit nga sindikatat e mësuesve.