Laboratori i Mikrobiologjisë Molekulare është i vetmi që kryen testimin për koronavirus në Kosovë. Megjithatë, me rritjen e numrit të të infektuarve është mbingarkuar edhe ky institucion.
Për këtë Ministria e Shëndetësisë do të shpërndajë aparatura për testimin e personave të dyshuar se janë të infektuar me këtë virus edhe nëpër spitale rajonale.
Ministri Armend Zemaj ka thënë se janë duke parë mundësitë për blerjen edhe të disa aparaturave të tjera për nevojat e këtyre spitaleve, raporton KOHA.
Në këtë Institut janë 4 aparatura për kryerjen e këtyre analizave, dy prej të cilave janë donacion, njëri nga Fakulteti i Mjekësisë, si dhe tjetri nga Agjencia Kosovare për Produkte Mjekësore.
Megjithatë, dy institucione të tjera, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, si dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë ofruar aparatet e tyre për shfrytëzim në rast të nevojës.
Në prill të këtij viti, përmes një komunikate, IKSHPK-ja ka thënë se është në proces të blerjes së katër aparateve për ekstraktim automatik të acideve nukleike, që është proces i rëndësishëm për testim.
Kjo do të bëhet përmes Zyrës së OBSH-së në Prishtinë dhe USAID-it. Si dhe 4 aparate Real Time PCR përmes zyrës së USAID-it dhe CDF-it.
Porse a janë blerë këto aparatura, IKSHPK-ja nuk ka kthyer përgjigje.
Pos kësaj, IKSHPK ka mungesë të resurseve humane. Aty punojnë vetëm 29 mikrobiologë.
Nevojat bazë, në situatë të zakonshme kërkojnë edhe 32 mikrobiologë të tjerë për nivelin qendror, si dhe për qendra rajonale të shëndetësisë publike.
Po ashtu, nevojiten edhe 29 specializantë për Mikrobiologji Klinike në SHSKUK