Udhëheqësi i opozitës ruse, Alexei Navalny, i cili dyshohet se është helmuar, ndodhet ende në një koma artficiale, por gjendja e tij është e qëndrueshme dhe simptomat e tij po përmirësohen, thanë të premten mjekët gjermanë që po kujdesen për të.
Navalny, një politikan dhe hetues korrupsioni, i cili është një nga kritikët më të ashpër të presidentit rus Vladimir Putin, u sëmur ndërsa ishte duke udhëtuar për në Moskë nga Siberia më 20 gusht dhe aeroplani bëri ulje urgjente në Omsk të Siberisë.
Fundjavën e kaluar ai u transferua në spitalin Charité në Berlin, ku mjekët gjetën gjurmë të një lënde që bën pjesë në grupin e substancave aktive të quajtur “frenues të kolinesterazës” në trupin e tij.
Bëhet e ditur se 44 vjeçari po trajtohet me antidotën atropinë. Spitali Charité tha se “ka pasur njëfarë përmirësimi të simptomave të shkaktuara nga aktiviteti i frenuesit të kolinesterazës”.
“Gjendja e tij mbetet ende serioze, por nuk është në rrezik jete. Për shkak të helmimit të rëndë të pacientit, është ende mjaft herët që të parashikohen efektet e mundshme afatgjata”, tha spitali.
Gruaja e Navalny, Yulia e ka vizituar atë rregullisht në spital dhe “Charité” tha se mjekët janë në kontakt të vazhdueshëm me të.
Aleatët e Navalny këmbëngulin se ai ishte helmuar me qëllim dhe thonë se Kremlini ishte pas këtij sulmi, akuza që zyrtarët rusë i kanë hedhur poshtë si “zhurmë e kotë”.
Ekspertët perëndimorë kanë tërhequr vëmendjen se është shumë herët të nxirren përfundime lidhur me shkaqet që mund të kenë shkaktuar sëmundjen e Navalny, por vënë në dukje se Novichok, agjenti nervor i kohës sovjetike, që u përdor për të helmuar ish-agjentin rus Sergei Skripal dhe vajzën e tij në Britani, ishte një frenues i kolinesterazës.
Mjekët rusë që trajtuan Navalny në Siberi e kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur përfundimin e spitalit gjerman, duke thënë se e kishin përjashtuar helmimin si diagnozë dhe se analizat e tyre për frenuesin e kolinesterazës, dolën negative.
Navalny u dërgua në Gjermani për trajtim mjekësor pasi kancelarja Angela Merkel ofroi personalisht që ai të kurohej në Berlin.