Spitali i Gjakovës: Pacientja që vdiq dje ishte që tre vjet në gjendje komatoze, denoncuesi nuk është pjesë e familjes

Prishtinë | 29 Nën 2025 | 12:53 | Nga Ekonomia Online

Spitali i Gjakovës ka reaguar në lidhje me pretendimet për vdekjen e një gruaje për të cilin rast i cili u paraqit në Polici nga një burrë që ka bashkëjetuar me të e që konsideron se tashmë e ndjera ndërroi jetë për shkak të trajtim të pandërgjegjshëm.

Nga spitali derisa tregojnë se pacientja ishte për tre vite në gjendje komatoze (pavetëdije) për më shumë se tre vjet, theksojnë se deklaratat e denoncuesit që siç shkruajnë nuk është pjesë e familjes së pacientes nuk përputhen me faktet.

Spitali vlerëson se kjo po bëhet për ta njollosur stafin mjekësor, por theksojnë se “Nuk është detyrë e jona të hyjmë në çështje të brendshme familjare dhe askush nuk mund të përfitojë duke shpifur apo duke manipuluar opinionin me deklarata të pavërteta”

Reagimi i plotë:

Lidhur me raportimet në media për rastin e ndodhur në Spitalin e Gjakovës, sqarojmë sa vijon:

Pacientja M.R. ka qenë në gjendje komatoze (pa vetëdije) për më shumë se tre vite dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë e shtrirë në Kujdes Intensiv Qendror.

Për tri vite me radhë, pacientja është trajtuar nga mjekët dhe infermierët e kujdesit intensiv, në përputhje të plotë me protokollet mjekësore të aplikueshme për raste të tilla.

Denoncuesi nuk është pjesë e familjes së pacientes. Deklaratat e tij nuk përputhen me faktet dhe paraqesin tentativë të qëllimshme për të njollosur punën e stafit mjekësor, i cili për tri vite ka ofruar kujdes të pandërprerë, profesional dhe të përgjegjshëm.

Edhe pse Kujdesi Intensiv operon me rregulla strikte për vizitorët, për shkak të ndjeshmërisë së rastit janë bërë tolerime të kontrolluara, dhe familjarët kanë qenë të pranishëm në Kujdes Intensiv Qendror gjatë gjithë kohës sa ka jetuar pacientja.

Nuk është detyrë e jona të hyjmë në çështje të brendshme familjare dhe askush nuk mund të përfitojë duke shpifur apo duke manipuluar opinionin me deklarata të pavërteta.

Kërkojmë që organet kompetente — Inspektorati Shëndetësor, Policia dhe Prokuroria — ta trajtojnë rastin me seriozitet dhe të mos lejojnë baltosjen e punës së punëtorëve shëndetësorë për interesa personale të askujt.

Të ngjashme