Spitali përfshihet nga vërshimet, vdesin 17 pacientë

Prishtinë | 08 Sht 2021 | 08:56 | Nga Ekonomia Online

Së paku 17 pacientë vdiqën, pasi reshjet e dendura shkaktuan vërshime në një spital në pjesën qendrore të Meksikës, thanë zyrtarët.

Ata thanë se një lumë doli nga shtrati dhe uji më pas shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike në spitalin e qytezës Tula, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Disa nga viktimat ishin pacientë me Covid-19, të cilët po trajtoheshin me oksigjenoterapi, raportuan mediet lokale.

Ekipet e kërkim-shpëtimit evakuuan rreth 40 pacientë, ndërsa një barkë me të cilën po lundronte guvernatori i rajonit u përmbyt në lumë. Guvernatori më vonë tha se është i sigurt.

Autoritetet e angazhuan edhe ushtrinë për të ofruar ndihmë për ekipet e kërkim-shpëtimit gjatë fatkeqësisë. Presidenti Andres Lopez Obrador tha se është shumë i pikëlluar nga vdekjet në spital.

Më shumë se 30 mijë njerëz në pjesë të ndryshme të rajonit qendror u prekën nga vërshimet. Në Ecatepec, afër kryeqytetit Mexico City, u shënuan dy viktima.

Të ngjashme