Katër komisione parlamentare do të mbajnë mbledhje të martën, më 10 nëntor, ndërsa në rend dite kanë çështje të ndryshme institucionale, shqyrtimin e projektligjeve dhe takime me përfaqësues të organizatave.
Sot mblidhen katër komisione parlamentare

Komisioni i Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Emërim në Gjykatën Kushtetuese do të mblidhet në orën 10:00. Në këtë mbledhje do të shqyrtohen nominimet e kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, për të vlerësuar nëse i plotësojnë kushtet e përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj.
Në të njëjtën orë do të mblidhet edhe Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion. Në rend dite është shqyrtimi në parim i Projektligjit për Efiçiencën e Energjisë, raportimi i anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës për gjendjen në këtë institucion, si dhe shqyrtimi i vendimit të presidentes për Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Po ashtu, në orën 10:00 do të mblidhet Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Persona të Pagjetur. Anëtarët e komisionit do të takohen me përfaqësues të organizatave të licencuara për mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Gjatë takimit do të diskutohet për aktivitetet e këtyre organizatave dhe çështjet që lidhen me marrjen e statusit të të mbijetuarve. Në këtë mbledhje është paraparë edhe formimi i grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë.
Në orën 11:00 do të mbahet mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ku do të shqyrtohet shpallja e konkursit për përzgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Ndërkaq, në orën 13:00 do të mblidhet Komisioni për Mjedis, Planifikim Hapësinor, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport. Ky komision do të shqyrtojë formimin e grupeve punuese për Projektligjin për Regjistrimin e Bujqësisë dhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.











