Ekonomia Online
FUNDIT

ZKA: Komuna e Prishtinës shpenzoi 2.18 milionë euro nga kredia e BERZH-it për projekte jashtë destinimit

ZKA: Komuna e Prishtinës shpenzoi 2.18 milionë euro nga kredia e BERZH-it për projekte jashtë destinimit

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës ka përdorur 2.18 milionë euro nga kredia prej 5 milionë eurosh e BERZH-it për aktivitete që nuk ishin pjesë e qëllimit për të cilin ishte miratuar financimi.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit të pajtueshmërisë për projektin “Efiçienca e Energjisë në Ndërtesat Publike në Komunën e Prishtinës”, i financuar përmes një kredie prej 5 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Sipas gjetjeve të auditimit, gjatë periudhës 2024–2026, Komuna e Prishtinës kishte realizuar 21 pagesa, në vlerë totale prej 2.18 milionë eurosh, për aktivitete dhe projekte që nuk përfshiheshin në qëllimin dhe fushëveprimin e marrëveshjeve të financimit.

Spanca bën me dije se, në vend se fondet të investoheshin në efiçiencën e energjisë në shkolla, kopshte dhe objekte të kujdesit shëndetësor, ato ishin përdorur për ndriçim publik, fasadim të ndërtesave, rrethoja të sigurisë në komunikacion dhe menaxhim të mbeturinave, ndër të tjera.

Raporti ka evidentuar edhe mangësi në kontrollin e brendshëm, mungesë të formalizimit të strukturave përgjegjëse për zbatimin e projektit, devijime nga mekanizmi i pagesave të përcaktuar në marrëveshje, si dhe probleme në monitorim dhe raportim.

“Këto gjetje ngrenë çështje serioze të ligjshmërisë, përgjegjësisë institucionale dhe mbrojtjes së interesit financiar të shtetit. Huamarrja publike nuk është thjesht një burim financimi. Ajo krijon obligime për shtetin dhe kërkon respektim të plotë të kushteve të dakorduara me institucionet financiare ndërkombëtare” shkroi Spanca.

Të ngjashme