Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Kapllan Halimi bashkë me Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, kanë reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj tyre nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, lidhur me implementimin e Programit të Veçantë për Bujqësi në vitin 2018, që sipas aktakuzës është në kundërshtim me ligjin.
Me qëllim të sqarimit dhe informimit të drejtë, sekretari Halimi dhe kryeshefi Gjokaj, sqarojnë se mbështetja e sektorit të bujqësisë, në këtë rast masat për infrastrukturën rurale janë me bazë të fuqishme në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim(SKZH) 2016-2021, në planin për reforma ekonomike për vitet 2017, 2018 dhe 2019. Më tej, në këtë plan për reforma ekonomike i hartuar në përputhje me SKZH 2016-2021 është e sqaruar në detaje e gjithë përkrahja edhe përmes këtyre masave e po ashtu edhe në udhëzues jepet edhe kostingu për këto masa. Prandaj, bëjmë thirrje që të shikohen në hollësi, si SKZH 2016-2021, po ashtu edhe Plani për Reforma Ekonomike për vitet 2017, 2018 dhe 2019. Gjithashtu, program të ngjashëm, si ky për të cilin tashmë thuhet se është në kundërshtim me ligjin, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka pasur edhe në vitin 2013.
Madje, para shpalljes së këtij programi të veçantë në vitin 2018, MBPZhR-ja për t’i ikur çfarëdo konflikti, ka pyetur edhe Agjencinë Kundër Korrupsion për të parë se a është në kundërshtim me ligjin për diskriminim, të cilën kjo agjenci e ka mohuar dhe është vazhduar më tutje me procedurat tjera sipas ligjit në fuqi.
Krahas kësaj, vendimi për përcaktimin e grupit punues për këtë program, ku në përbërje kanë qenë drejtorët e departamenteve, pra niveli më i lartë i shërbimit civil kanë pasur për qëllim të kontrollojnë dhe shqyrtojnë të gjitha çështjet e hapura, duke u bazuar gjithmonë në dokumentet strategjike të Qeverisë, si dhe udhëzuesve ku përcaktojnë një plan dinamik të implementimit dhe kosto të qartë financiare. Grupi punues për vlerësim të projekteve është nxjerr sipas rekomandimit të drejtorit për miratimin e projekteve dhe me propozim të tij për emrat specifik. Vlen të theksohet se pas vlerësimit drejtori i miratimit i ka kontrolluar të gjitha lëndët edhe për 15 ditë të tjera, ku edhe ka përgatitur letër miratimin, e jo siç thuhet në aktakuzë drejtori ekzekutiv. Vlerësimi i aplikacioneve është bërë në përputhje të plotë me UA. Ne i kemi të gjitha këto dëshmi, të cilat janë të mjaftueshme për të hedhur poshtë gjithçka që pretendohet përmes kësaj aktakuze dhe bëjmë apel për të gjitha mediat për të pasqyruar të vërtetën duke u bazuar në këto dëshmi, të cilat mund t’i shohin në ministri.
Konsiderojmë se jemi plotësisht të pafajshëm dhe jemi të befasuar me këtë aktakuzë, sepse që nga fillimi i mandatit tonë e deri më tash kemi punuar vazhdimisht duke u bazuar në ligje dhe rregulloret e udhëzimet në fuqi dhe kemi qenë çdoherë të vendosur të luftojmë të keqen, por shihet se keqja na ka luftuar neve. Do t’i themi të gjitha, të cilat i dimë në mënyrë që kjo temë të sqarohet njëherë e mirë.