Sqarohet MPJ-ja: S’ka dështuar anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës

Prishtinë | 14 Jan 2023 | 11:42 | Nga Ekonomia Online

“Nuk është votuar kundër dhe nuk ka dështuar anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”.

Kështu të paktën thuhet në një komunikatë për media e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, pas raportimi të disa mediave aplikimi i Kosovës për anëtarësim në KiE është rrëzuar kjo pasi që, sipas pretendimeve të tyre, Italia Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe janë shprehu kundër futjes së Kosovës në agjendë.

“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është votuar kundër dhe nuk ka dështuar. Përkundrazi, që nga 12 maji i vitit 2022 janë bërë përparime të rëndësishme përgjatë procesit të anëtarësimit”, thuhet në këtë komunikatë për media ndër të tjera.

Duke argumentuar të kundërtën e raportimit të disa mediave, MPJ-ja ka deklaruar se në muajin shtator të vitit 2022, nga vet Sekretariati i Këshillit të Evropës është dhënë interpretim ligjor mbi aplikimin e Kosovës, i cili konfirmon qartë se nuk ka asnjë pengesë ligjore për anëtarësimin e Kosovës si anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

“Nga lobimi i përbashkët me delegacionin e Parlamentit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për herë të parë në historinë tonë është siguruar e drejta e fjalës për delegacionin e Republikës së Kosovës dhe kjo e drejtë është shfrytëzuar përgjatë sesionit vjeshtor të Asamblesë Parlamentare”.

Pas dorëzimit të aplikimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës më 12 maj të viti të kaluar, MPJ-ja sipas kësaj komunikate, është koordinuar me të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe përgjatë lobimit të pandërprerë ka siguruar mbështetjen e gjerë për ta kaluar fazën e parë të procesit të anëtarësimit.

“Kjo situatë ka rezultuar edhe në angazhim konkret të një numri të vendeve anëtare mbështetëse për t’i kaluar pengesat përgjatë këtij procesi të anëtarësimit. Këto fakte, përveçse nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, janë vërtetuar edhe nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës”.

Sipas MPJ-së, Kosova duhet të kalojë tre faza të votimit në atë mënyrë që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

“Në fazën e parë, Komiteti i Ministrave fillon procedurën e anëtarësimit. Në fazën e dytë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vendos standarde relevante dhe jep rekomandimin për anëtarësim. Në fazën e tretë, Komiteti i Ministrave vendos pas opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”.

“Aplikimi i Republikës së Kosovës është në fazën e parë. Më saktësisht, në këtë fazë, Komiteti i Ministrave duhet të kërkojë opinionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në këtë fazë të parë të vendimit në Komitet të Ministrave nuk ka përcaktim të standardeve për fillim të anëtarësimit. Rrjedhimisht, çfarëdo kushtëzimi i mundshëm në këtë fazë do të ishte kundër Statutit të Këshillit të Evropës, praktikave të anëtarësimit dhe vlerave të organizatës”.

Të ngjashme