Dogana e Shqipërisë ka dalë me një vendim në lidhje me çështjen e çmimit të patates nga Kosova që këtyre ditëve u bë pikë problematike.
Dogana shqiptare ka bërë të ditur se nuk do të ketë rritje të vlerësimit doganor për pataten, por ajo do të ndodhë vetëm atëherë kur operatori ekonomik nuk paraqet dokumentacionin e duhur në doganë.
Kjo i bie që Dogana e Kosovës i vërteton çmimin e patates doganës shqiptare, ku kjo e fundit nuk aplikon çmim të referencës.
Sipas tyre, legjislacioni doganor për vlerësimin doganor të mallrave ka parashikuar gjashtë metoda për vlerësimin e mallrave.
Dogana e Shqipërisë u ka kërkuar operatorëve ekonomikë në të dyja vendet për plotësimin e saktë dhe të duhur të dokumentacionit doganor në mënyrë që të mundësohet zbatimi sa më korrekt i procedurave doganore, që pa dyshim nxisin dhe tregun e lirë ndërmjet dy vendeve.
Pala kosovare kishte paralajmëruar masa reciprociteti nëse Shqipëria nuk heq çmimin referent.