Marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, fuqizimi i sundimit të ligjit, luftimi i korrupsionit dhe rritja e stabilitetit të Kosovës dhe tërë rajonit janë kyçe për rritjen e investimeve amerikane. Kjo u konkludua gjatë një takimi të bizneseve anëtare të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë me Robert Morgan, Zyrtar Ekonomik Rajonal në Zyrën për Çështje të Evropës Jugore dhe Qendrore të Departamentit Amerikan të Shtetit
Në takim me udhëheqësit afaristë të Odës Amerikane, Zyrtari Departamentit të Shtetit, tha se stabiliteti është esencial për tërheqjen e investimeve, duke theksuar se vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është nevojë për rritjen ekonomike. Ai lavdëroi udhëheqësit afaristë të Odës Amerikane për vazhdimin e ndërtimit të perceptimeve pozitive për Kosovën përmes partneriteteve të tyre ndërkombëtare duke theksuar se shumë biznese në Shtetet e Bashkuara kanë pak informata rreth Kosovës. Angazhimi dhe progresi pozitiv me fqinjët do të ndihmonte në këtë aspekt. Nga ana e tij, Morgan u zotua se ai do të përçojë në Uashington dhe në mesin e komunitetit afarist të Shteteve të Bashkuara mesazhin për mundësitë e investimeve në Kosovë. Në fund, Morgan inkurajoi Odën Amerikane të vazhdojë të përdorë ndikimin e saj për të inkurajuar qeverinë e ardhshme të ndërmarrë hapa konkretë në përmirësimin e sundimit të ligjit dhe të mjedisit afarist.
Në anën tjetër, anëtarët e Odës Amerikane, e njoftuan Zyrtarin nga Departamenti Amerikan i Shtetit sfidat dhe mundësitë e të bërit biznes në Kosovë. Ata shprehën shqetësimet e tyre për sundimin e dobët të ligjit, nevojën e përmirësimit të zbatueshmërisë së kontratave, mungesën e transparencës financiare, si sfida kryesore që aktualisht pengojnë operimin e bizneseve dhe rritjen ekonomike në Kosovë. Pjesëmarrësit poashtu theksuan nevojën për konstituim sa më të shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, vazhdimin e reformave në mjedisin e të bërit biznes në përgjithësi, reformën fiskale dhe gjyqësore në veçanti, përfshirë këtu edhe krijimin e gjykatës komerciale.
Mes tjerash, gjatë këtij takimi u bisedua edhe për përmirësimin e imazhit të Kosovës, si dhe ngritjen e vetëdijësimit të investitorëve të jashtëm mbi kapacitetet dhe zhvillimet e shumta ekonomike të vendit.