Stafi i shkollës “Pavarësia” përmes grevës kërkojnë veprime ndaj nxënësve dhe siguri për mësimdhënësit

Prishtinë | 10 Shk 2026 | 08:55 | Nga Gzim Mujaj

Shoqata Sindikale e ShFMU “Pavarësia”, Këshilli Drejtues i Shkollës dhe Këshilli i Prindërve kanë mbajtur një grevë si reagim ndaj veprimeve të disa nxënësve gjatë procesit edukativo-arsimor, përfshirë dhunën fizike, fyerjet, sharjet dhe ofendimet ndaj mësimdhënësve, e ku kanë paralajmëruar se nëse nuk ndërmerren veprime institucionale, atëherë do të përshkallëzohet situata dhe do të ndërprenë procesin mësimor, raporton Ekonomia Online.

Kjo grevë erdhi pas një videoje ku shihet mësimdhënësi teksa rrah një nxënës në këtë shkollë, por që sipas versionit të kolektivit të mësimdhënësit i cili është ndaluar për 48 orë, aty është prerë vetëm pjesa në fund dhe se nuk është paraqitur e gjithë ngjarja.

Përfaqësuesi nga shoqata sindikale e shkollës, Ardit Ukaj tha se dhuna nuk ka vend në shkolla e ku ka kërkuar mbrojte për mësimdhënësit.

“Dua të theksojmë qartë se ne si shoqatë sindikale jemi kundër çdo lloj të dhunës, qoftë fizike apo verbale. Nuk ka vend në shkollë, dhe nuk mund të arsyetohet nga askush. Kjo grevë nuk organizohet për të justifikuar dhunën dhe as për të mbrojtur atë. Përkundrazi ajo është një reagim kundër dhunës që po cenojnë sigurinë dhe dinjitetin e mësimdhënësit në procesin edukativo-arsimor. Qëllimi ynë është të mbrojnë një ambient të sigurt dhe profesional ku mësimi zhvillohet normalisht dhe ku autoriteti i mësimdhënësit nuk vihet në pikëpyetje përmes fyerjeve, ofendimeve, sharjeve dhe nënçmimit. Kërkojmë qasje serioze dhe të koordinuar institucionale kundër këtij fenomeni sepse sistemi aktual ligjor dhe mekanizmat ekzistues disiplinor nuk po ofrojnë zgjidhje efektive në rastet kur nxënësi fyen apo sulmon mësimdhënësin fizikisht. Kjo situatë krijojnë ndjenjë pasigurie dhe mungesë mbrojtje për stafin arsimor. ky nuk është problem i izoluar vetëm në shkollën tonë, por fenomen që po shqetëson dhe shkollat e tjera. Prandaj, kërkojmë masa konkrete, të qarta dhe të zbatueshme për mbrojtjen e mësimdhënësve dhe garantimit e rendit në institucione arsimore”, tha ai.

Ai teksa tha se orët e humbura për shkak të grevës nuk zëvendësohet, theksoi se nuk kërkojmë ndërrimin e shkollës për nxënësin por vetëm të ndërmerren masa.

“Nuk po kërkojë ndërrimin e shkollës për nxënësin, por të merren masat e duhura nga personat kompetent dhe rasti të trajtohet në mënyrë të duhur sipas legjislacionit por edhe të bëhet një rishikim i legjislacionit që legjislacioni t’i përshtatet vendit ku jemi”, tha ai.

Ymeri ka shtuar se sipas SBASHK-ut, ngjarja nuk është paraqitur plotësisht në publik, pasi në media është transmetuar vetëm një pjesë e saj, duke kërkuar nga organet e drejtësisë që ta shqyrtojnë urgjentisht rastin, të dalin me të vërtetën dhe të vendosin masa ndaj prindërve që, sipas tij, përdorin dhunë në shkolla, si dhe të lirohet mësimdhënësi nëse konstatohet se paraburgimi është i padrejtë.

“Ne si SBASHK me t’marrë lajmin që ka ndodhë kjo edhe me reagimin e Shoqatës Sindikale dhe vendimin që kanë marrë këta për ta ndërpre mësimin dyorëshe, menjëherë e kemi përkrahë dhe sot jemi n’mesin e mësimdhënësve, anëtarëve tonë që ta përkrahim veprimin e tyre për ngjarjen që ka ndodhë në këtë shkollë dhe që nuk është ngjarje që është hera e parë që po ndodh, po kanë ndodhë edhe në shkolla tjera. Ka ndodhë që përveç dhunës psiqike që po ushtrohen ndaj punëtorëve të arsimit, ndaj mësimdhënësve, nga ana e nxënësve, e shpesh edhe nga ana e prindërve, ka raste edhe kur janë sulmuar fizikisht, sikurse që kemi pa rastin e djeshit, edhe na vjen shumë keq që ka ndodhë kjo zënkë, por, e keqja ma e madhe e kësaj është që ngjarja nuk është paraqitë në mënyrën e duhur krejt si është, po është marrë një pjesë nga fundi i ngjarjes pothuajse, edhe ajo është emitu në mediat. Pastaj ndoshta edhe organet e sigurisë mbas ndikimit të këtyre ngjarjeve të skenue, të paraqituna k’tu, kanë kërkojmë nga organet e drejtësisë që sa më shpejt, urgjentisht ta shqyrtojnë rastin, të delin me të vërtetën dhe ta lirojnë arsimtarin, të marrin masa ndaj prindërve të nxënësve të cilët përdorin dhunë n’shkollë”, tha ai.

Ai ka bërë të ditur se sindikata mbështet vendimin e mësimdhënësve që protesta të kufizohet vetëm në dy orë dhe të mos ndërpritet tërësisht mësimi, duke theksuar se disa shkolla të tjera kanë shprehur solidaritet me ndërprerje simbolike të orëve. Ymeri ka paralajmëruar se, nëse rasti nuk sqarohet shpejt, veprimet sindikale mund të përshkallëzohen, duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet, përfshirë Ministrinë e Arsimit.

“Përndryshe, na jena n’përkrahje të mësimdhënësve të kësaj shkolle. i falënderojmë që me gjithë at’ ngjarjen e rëndë ka ndodhë, e kanë pas parasysh mësimin dhe nxënësit dhe kanë vendosë që ta mbajnë vetëm dy orë protestë dhe grevë, nuk kanë vendosë që ta ndërpresin tërësisht mësimin. Shkollat tjera, disa janë solidarizue me një orë mësim, me një orë ndërprerje të mësimit me këtë shkollë. Nëse ngjarjet nuk sqarohen shpejt dhe nuk lirohet mësimdhënësi, mund të që nga dita e nesërme mund të përshkallëzohet kjo formë e veprimit sindikal. Urojmë që sa më shpejt, urojmë që sa më shpejt organet e drejtësisë ta marrin në shqyrtim të drejtën, ta lirojnë arsimtarin dhe të marrin masa edhe njëherë po e përsërit ndaj prindve që sjellin në këtë formë fmijtë n’shkollë, organizohen me dhjetëra nxënësit, vijnë n’sallë dhe sulmojnë arsimtarin. Kjo nuk ka mbet’ ma t’jetë shkollë, por njëfar’ lloji, me përgjegjësia është që nga Ministria e Arsimit e tutje”.

“Veprimet sindikale dihet cilat janë sindikale, do t’ndërprejmë mësimin deri në zbardhjen e rasteve dhe deri në masën e, marrjen e masave, zbatimin e rregulloreve. Nuk munden nxënësit me i sulmu mësimdhënësit”, tha ai.

Përfaqësuesi i shkollës “Ismail Qemali”, Naim Bytyqi, ka thënë se kolektivi i kësaj shkolle ka vendosur ta mbështesë protestën në orën e parë mësimore, pas diskutimeve të brendshme mes stafit. Ai ka theksuar se mësimdhënësit i shohin prindërit si bashkëpunëtorë kryesorë dhe se situata të tilla nuk duhet të zgjidhen me përshkallëzim konfliktesh.

“Kur tash pas lufte jemi bo njerëz që edhe analfabetët që nuk dinë me shkru, janë qesharakë po na sulmojnë. Vijnë prindërit na sulmojnë. Domethënë, na prindërit i shohim si bashkëpunëtorë kryesorë. Si, domethënë, e kena ‘feedback’-un me prindin. Jo me u taku me prindin për kesi situata dhe me ardh në këtë situatë. Kolegët e Abazit, arsimtarit i cili është tash në paraburgim, edhe me qenë të indinjuar. Shiko rastin si e kena dëgju na dje. Mbrëmë kolektivi jonë i cili është shumë i madh, me 3 mijë nxënës dhe me 130 arsimtarë, kanë komuniku në grupin e shkollës vazhdimisht. Dhe jemi ardh te një përfundim që t’i përkrahim. Dhe ju kena përkrahur në orën e parë ju thashë edhe fillim, edhe pe përsëris. Aq sa e kena pasur arsyeshme në bazë të udhëzimeve dhe rregullave shkollore, sepse duhet të njoftohet Këshilli i Shkollës. Pajtona me sekretarin e SBASHK-ut i cili tha do të vazhdojmë me masa të tjera nëse padrejtësisht arsimtari rri në paraburgim. Shumë e lehtë me paraburgos arsimtarin, në minutë”, tha ai.

E njëri nga arsimtarët aty ka treguar se kolegu i tij është sulmuar në pauzë, e duke thënë se nxënësi ishte organizuar vet i 10-ti për ta sulmuar mësimdhënësin.

“Nxënësi vjen prej katit të dytë në orë mësimore, del e vjen në shkollë dhe arsimtari ka qenë në pauzë dhe për mes sulmu arsimtarin. Me u organizu vet i 10-ti me ardh me sulmu arsimtarin, vet ideja me ardh me sulmu një arsimtar në vend të punës dhe ti sot po e mbron? Nuk kam çka me ta shpjegu më shumë”, tha njëri nga kolegët.

Të ngjashme