Stankoviq: Muralet në veri i bënë ata që tradhtuan popullin, pushteti në Beograd ka mashtruar serbët në Kosovë me parulla boshe

Prishtinë | 27 Gus 2025 | 15:13 | Nga Ekonomia Online

“Muralet në Mitrovicën e Veriut nuk u krijuan nga ata që e mbrojtën vërtet popullin, por nga të njëjtët që e tradhtuan atë popull”. Kështu ka thënë Nikola Stankoviq, drejtor i organizatës “Kreni-promeni”, në një tekst të tij autorial, duke drejtuar kritika të ashpra ndaj pushtetit në Beograd për mënyrën se si ka trajtuar komunitetin serb që jeton në Kosovë.

Ai e cilëson krijimin dhe më pas fshirjen e muraleve si pjesë e një strategjie mashtruese të qeverisë serbe, për të mbuluar siç thotë ai dështimet në trajtimin e serbëve. “Muraleve nuk iu dha fund sepse ishin simbol rezistence, por sepse përfundoi funksioni i tyre i vetëm – të mbulonin tradhtinë”, ka shkruar ai.

Stankoviq thotë se për më shumë se një dekadë, qeveria serbe ka inskenuar rezistencë në Kosovë, ndërkohë që realiteti është krejt ndryshe. “Prandaj muralet, ishin një paravan për të krijuar një iluzion patriotik”

Ai akuzon se pushteti në Beograd ka mashtruar qytetarët me parrulla boshe, ndërkohë që i ka lënë serbët në Kosovë pa asgjë.

Stankoviq përmend edhe organizimin e tubimeve politike të inskenuara, duke thënë se qytetarët nxirreshin me urdhër për të mbështetur qeverinë, ndërsa muraleve u jepej roli i “mizanskenës së tradhtisë”.

Në fund, ai e përmbledh situatën si një mashtrim të madh: “Vuçiq dhe SNS ka tradhtuar serbët e Kosovës, i kanë lënë më të braktisur se kurrë”.

Të ngjashme