Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, sot ka përsëritur kërkesën e Bashkimit Evropian që Kosova duhet të zbatojë me urgjencë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe pa vonesa.
“Është një kërkesë e kahershme, është një obligim i kahershëm nga ana e Kosovës, kështu që duhet të zbatohet urgjentisht. Kjo është përsëritur disa herë nga nivelet më të larta të BE-së, kështu që nëse Kosova nuk e arrin ta bëjë nuk do të shihet si shenjë pozitive e gatishmërisë për të vazhduar e që tash është e lidhur me progresin e Kosovës në rrugën evropiane”.
Stano tha se Asociacioni është temë prezente në secilin takim dhe secilin komunikim të zyrtarëve të BE-së me partnerët kosovarë, por shtoi se në takimin e kësaj jave në nivel të kryenegociatorëve, tema kryesore do të jetë për dinarin.
“Takimi i së enjtes është i fokusuar në çështje të tjera, sidomos në çështjet që janë diskutuar javën e kaluar dhe javën më parë për të zgjidhur kryesisht implikacionet e pasojave të vendimit të BQK-së. Asociacioni nuk është tema kryesore, por do të jetë prezente. Është prezente në secilin takim, në të gjitha ndërkomunikimet me partnerët e Kosovës, sepse është një nga kushtet që është vërtet urgjente të zbatohet sa më shpejt dhe pa ndonjë vonesë të mëtejshme”, ka thënë Stano sot në një konferencë për media.