Stano: Çdo vendim për urën e Ibrit duhet të diskutohet në kuadër të dialogut

Prishtinë | 31 Maj 2024 | 13:39 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar se çështja e hapjes së urës është pjesë e dialogut të lehtësuar nga BE, dhe se diskutimi dhe vendimet në lidhje me hapjen e saj për trafik duhet të ndodh në kuadër të dialogut me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të dyja palëve.

Stano ka shtuar se palët duhet të lëvizin përpara me implementimin e marrëveshjeve të mbetura pezull dhe të zbatojnë obligimet e marrëveshjeve të arritura në dialog.

“Ne jemi të interesuar të parandalojmë edhe një krizë tjetër, kemi pasur mjaftë të tilla tashmë dhe pak zgjidhje e hapa drejt deeskalimit. Në lidhje me pyetjen tuaj, për hapjen e urës në Mitrovicë, ajo ka qenë temë e dy marrëveshjeve të dialogut të lehtësuar nga BE, më 2015 e 2016. Dhe pavarësisht përpjekjeve për të ndërmjetësuar përgjatë viteve, kjo urë mbetet e mbyllur për trafik. Dhe përderisa kjo është çështje që i takon dialogut të lehtësuar nga BE, negociatat dhe çfarëdo vendimi në lidhje me urën duhet të diskutohet dhe të bëhet në kuadër të dialogut, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të dyja palëve, Kosovës e Serbisë”, ka deklaruar Stano.

Të ngjashme