Gjatë ditës së enjte zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nuk i është lejuar ta vizitojë kryeqytetin e Serbisë Beogradin.
Ai ka deklaruar se kjo është bërë pa asnjë arsye të qëndrueshme dhe se kjo sipas tij do të thotë se Serbia nuk është e gatshme të normalizohen marrëdhëniet me Kosovën.
Sa i përket këtij ndalimi nga ana e autoriteteve të Serbisë për portalin Dukagjini ka komentuar edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke thënë se vizitat zyrtare duhet të luajnë një rol të rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe këto vizita nuk duhet të politizohen.
“Vizitat zyrtare luajnë një rol të rëndësishëm në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve dhe mirëkuptimit ndërmjet palëve, dhe ato nuk duhet të politizohen”, ka thënë Stano.
Ai shtoi se BE-ja u kërkon të dyja palëve të zgjidhin çdo mosmarrëveshje dhe keqkuptim të tillë në dialog dhe në mirëbesim nëpërmjet zyrtarëve ndërlidhës.
“BE-ja u kërkon të dyja palëve që të zgjidhin çdo mosmarrëveshje dhe keqkuptim të tillë në dialog dhe në mirëbesim, duke përdorur kanalet e vendosura të komunikimit të Zyrtarëve Ndërlidhës. Të dyja palët duhet të respektojnë të gjitha marrëveshjet e kaluara dhe të zbatojnë detyrimet në pritje, duke përfshirë vizitat zyrtare”, ka shtuar Stano.