Zinxhiri amerikan i kafeneve “Starbucks” planifikon të punësojë 2 500 refugjatë në Evropë deri në vitin 2022, si pjesë e një projekti global që kishte paralajmëruar në janar të këtij viti.
Zinxhiri i famshëm i kafeneve ka njoftuar të martën se ky numër është pjesë e planit që në pesë vitet e ardhshme në mbarë botën të punësojë 10 mijë refugjatë.
“Starbucks” ka thënë se gjatë punësimit do të bashkëpunojë me agjencitë që ndihmojnë refugjatët, në Britani të Madhe, Francë, Austri, Zvicër, Spanjë, Portugali, Gjermani dhe Holandë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Këshilli për Refugjatët, që punon për mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve në Britani të Madhe ka përshëndetur partneritetin duke theksuar se një hap i tillë “do të mund të bëjë një ndryshim pozitiv në jetën e refugjatëve”.
“Refugjatët sjellin thesar të pabesueshëm të aftësive, njohurive dhe përvojës që janë jashtëzakonisht të dobishme për shoqërinë”, tha Maurice Wren, drejtor ekzekutiv i Këshillit për Refugjatët.
“Starbucks” në janar kishte deklaruar se dëshiron të punësojë njerëzit që ikin nga lufta, persekutimi dhe diskriminimi në 75 vende ku është e pranishme në pesë vitet e fundit.