Pas përfundimit të turneut të Vjenës radhën në kalendar e ka menjëherë Mastersi i Parisit, aktivitet ku do të marrin pjesë plot 7 tenistë nga dhjetëshja më e mirë e botës. Disfata e turpshme 6-2, 6-1 në diçka më tepër se një orë lojë, në Austri në fazën çerekfinale nga italiani Lorenzo Sonego, e uli me këmbë në tokë numrin 1 të klasifikimit të përgjithshëm ATP, Novak Djokovic, që vendosi të tërhiqet dhe të bëjë mënjanë për pak kohë, në prag të turneut përmbyllës të sezonit, që do të zhvillohet në Londër më datë 16 nëntor.
33-vjeçari nga Serbia kishte plot 1.000 pikë për të mbrojtur në Paris – Bercy, pas triumfit të vitit të kaluar, kur mposhti në finale në vetëm dy sete kanadezin Denis Shapovalov, sidoqoftë Nole preferoi për të hequr spinën për pak kohë, duke patur parasysh që është një ndër tenistët që ka zhvilluar më shumë ndeshje gjatë vitit 2020.
Mastersi i Parisit është vetëm turneu i tretë në këtë sezon i kësaj kategorie, që i shpërblen lojtarët fitues me nga 1.000 pikë, gjithsesi kampioni në fuqi ka triumfuar si në turneun Western & Southern Open që këtë herë nuk u zhvillua në Cincinnati por në New York, për shkak të pandemisë së koronavirusit, ashtu edhe në Mastersin e Romës. Mungesa e numrit 1 të botës është një humbje e madhe për organizatorët, sidoqoftë në kryeqytetin francez këtë radhë ka një pjesëmarrje të shkëlqyer të tenistëve të tjerë.
Rafael Nadal udhëheq pjesën e sipërme, ku pozicionohen gjithashtu nga tenistët me emër Andrey Rublev, Sascha Zverev e David Goffin, ndërsa në pjesën e poshtme të shortit favorit është numri 2 i turneut Stefanos Tsitsipas, që ka në krah tenistë të tillë si Matteo Berrettini, Daniil Medvedev dhe Diego Schwartzman. Edicioni i 49 i Mastersit të Parisit zhvillohet si zakonisht në Palais Omnisports në Paris – Bercy, në Accor Arena që ka një kapacitet prej plot 14.000 spektatorësh, megjithatë për shkak të përshkallëzimit të situatës së pandemisë së koronavirusit në Francë organizatorët kanë vendosur që ky event të mbahet pa praninë e publikut, natyrisht për të mos rrezikuar me përhapjen e virusit Covid – 19.
Turneu i përvitshëm që zhvillohet në kryeqytetin francez është një aktivitet indoor, pra që mbahet në salla të mbyllura dhe përveç tetë tenistëve kryesorë që kualifikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë për në raundin e dytë në edicionin e sivjetshëm marrin pjesë gjithashtu edhe emra të respektuar si Pablo Carreno Busta, Milos Raonic, Karen Khachanov, Stan Wawrinka, Felix Auger – Aliassime, Borna Coric apo dhe Alex de Minaur. Përvec Djokovic-it nga edicioni i 49 hoqën dorë edhe Grigor Dimitrov, Roberto Bautista – Agut, Fabio Fognini, Nick Kyrgios, John Isner, Gael Monfils, Denis Shapovalov dhe Dominic Thiem.
Nole është tenisti më i suksesshëm me 5 trofe në Mastersin e Parisit, sidoqoftë në katër edicionet e fundit kanë fituar katër tenistë të ndryshëm si Andy Murray, Jack Sock, Karen Khachanov dhe pikërisht Novak Djokovic. Favorit konsiderohet numri 2 i botës Rafael Nadal, megjithatë për hir të së vërtetës 24-vjeçari spanjoll ka vuajtur vazhdimisht në Paris Bercy dhe Rafa krenohet thjesht me finalen e vitit 2007, ku mori vetëm 4 game gjithsej ndaj argjentinasit David Nalbandian. “Mbreti i fushave me dhe” nuk ka rezultate të mira në turnetë indoor, madje tenisti i famshëm iberik përveç Parisit nuk ia ka dalë për të triumfuar gjithashtu as në turneun përmbyllës të tetë tenistëve më të mirë të sezonit.
Duke patur parasysh mungesën e dyshes Federer – Djokoviç kanë një rast të shkëlqyer për të fituar tenistë të tillë si Alexander Zverev, Andrey Rublev dhe Daniil Medvedev. Rublev konsiderohet natyrisht si tenisti më në formë, pas sukseseve në Hamburg, Shën Petërsburg dhe Vjenë në gjashtë javët e fundit, kur në fakt 23-vjeçari moskovit ka fituar 19 nga 20 ndeshjet e zhvilluara. Rublev ka po aq fitore gjatë vitit 2020 sa edhe vetë Novak Djokovic, pra 39, megjithëse Nole ka humbur vetëm 3, ndërsa numri 8 i botës 7. Për të gjetur tenistin tjetër me më shumë fitore duhet zbritur te numri 6 i botës tenisti grek Stefanos Tsitsipas, që ka një bilanc 28 fitore e 11 humbje.
Nëse Djokoviçi krenohet me 4 trofe gjatë këtij viti të vështirë, Rublev kryeson me plot 5 turne të fituar, duke patur parasysh që në fillimin e këtij sezoni tenisti moskovit triumfoi gjithashtu edhe në Doha dhe Adelaide. Rublev është tenisti i parë rus që fiton 5 tituj brenda një sezoni që nga viti 2009, kur Nikolay Davydenko e regjistroi një arritje të tillë me pjesëmarrjen në 23 turne, ndërsa për Rublev në krahun tjetër Turneu i Vjenës ishte vetëm i 12 gjatë vitit 2020. Mastersi i Parisit do të përcaktojë edhe emrin e fundit që do të kualifikohet për në turneun përmbyllës të tetë tenistëve më të mirë të sezonit, pra ATP World Tour Finals, sepse siç dihet për në kryeqytetin britanik janë kualifikuar me radhë Djokovic, Nadal, Thiem, Medvedev, Tsitsipas Zverev dhe Rublev. Në pozita të mira për të garantuar pjesëmarrjen në Londër ndodhet pikërisht numri 9 i botës Diego Schwartzman, që numëron 210 pikë më tepër se tenisti italian Matteo Berrettini. /SS/