Kosova luan sonte prej orës 20:45 ndeshjen më vendimtare të Kualifikimeve EURO2020 kundër Republikës së Çekisë. Ndeshjen e parë ndaj çekëve e fituam me rezultat 2-1 por statistikat nuk flasin aq mirë për kombëtaren tonë.
Një gol i bukur nga Vedat Muriqi prej një kundërsulmi dhe një ekzekutim mjeshtëror i kornerit nga Valon Berisha dhe Mërgim Vojvoda bënë që Kosova të merrte tri pikë të arta në Prishtinë.
Por, Çekia ishte më e fortë në fazën e mesfushës dhe ia doli ta dominonte Kosovën sa i përket mbajtjes së topit dhe pasimeve të kompletuara.
55 për qind e mbajtën topin çekët ndërsa 45 për qind kosovarët. 464 pasime totale i bëri kombëtarja jonë rivale për dallim nga 312 sa provuam t’i bënim ne. Nga këto pasime, çekët i përfunduan me sukses 374 ndërkohë që dardanët vetëm 241.
Kujtojmë se në atë ndeshje Kosova luante pa dyshen e mesfushës, Kryeziu-Shala, gjë që mund të ndodh sërish pasi Kryeziu nuk ka shansa të luajë ndërkohë që Shala është në dyshim, shkruan Periskopi.
Por, statistika më e çuditshme është ajo e sulmeve të ndërmarra. Kosova del se i bëri 81 sulme, ndërkohë që Çekia 140 sosh. Megjithatë, sa i përket sulmeve të rrezikshme, siç i klasifikon Flashscore, dallimi nuk ishte aq i madh, 52-47 në favor të ekipit çek.
Në atë ndeshje, bastoret e kishin favorizuar Çekinë që të fitonte duke i vënë kuotën 2,25. Kosova e kishte pasur 3,50 ndërsa barazimi 3,40.