Jeta Statovci, deputete e Listës Guxo në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në emisionin “Click” të RTV21 ka thënë se nuk ka qenë e pritshme që Shqipëria të pozicionohet në mes, në raport të Kosovës dhe Serbisë.
“Në raport me Kosovën, mbështetja e Shqipërisë do të duhej të ishte e padiskutueshme dhe assesi nuk ka qenë e pritshme që Shqipëria të pozicionohet në mes, në raport të Kosovës dhe Serbisë. Padyshim edhe në draftet e kaluara të cilat ishin të prezantuara edhe avokimi jonë ka qenë që Serbia nuk mund të jetë pala neutrale e cila e ndërmjetëson, për arsye që raportet tona me Shqipërinë nuk janë raporte që i kemi me Austrinë, po janë shumë më të afërta dhe raporte vëllazërore”, ka thënë Statovci.
Tutje, Statovci ka thënë se nuk ishte i pritshëm një pozicion i ndërmjetëm i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, dhe se hapi i tij i fundit nuk i shërben interesit të Kosovës.
“Nuk besoj që zgjidhja që e prezantoi Rama përmes një drafti të Asociacionit ishte zgjidhja për çështje. Për shkak të afërsisë që e ka pasur me Vuçiq, ndoshta më e rrugës do të ishte që t’i kërkonte atij, të bënte thirrje për largimin e bandave kriminale, sesa të bënte thirrje për dërgimin e propozimeve për Asociacionin”, ka thënë Statovci.