Themelimi i së paku dy institucioneve muzeore në kryeqytet është në pritje të vendimit që varet nga politika. Ashtu sikurse për muzeun “Ibrahim Kodra”, edhe për muzeun ku do të dokumentoheshin krimet e luftës në Kosovë i domosdoshëm është miratimi i statutit të Muzeut të Prishtinës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Mbledhja e Kuvendit Komunal të Prishtinës e paraparë për të hënën – në të cilën është thënë se do të shqyrtohej edhe çështja e statutit – është shtyrë për një afat të pacaktuar.
“Problemet politike”, është arsyetimi që kanë dhënë zyrtarët komunalë. Megjithatë, ideatori i projektit “Muzeu për Krimet e Luftës 1998-1999”, analisti e studiuesi Shkëlzen Gashi, po vazhdon punën për këtë projekt.
Ndërkaq javën e kaluar Komuna e Prishtinës dhe fondacioni “Ibrahim Kodra” kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi, në bazë të të cilit do të ruhen e ekspozohen veprat e maestros në ish-ndërtesën e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Tophane”.
Aty do të zërë vend edhe Muzeu i Prishtinës, themelimi zyrtar i të cilit po mban peng konkretizimin e dy degëve të tij: atij me emrin e maestros dhe “Muzeun për Krimet e Luftës” .