“Heqja e TVSH-së dhe akcizës për një periudhë të caktuar, të cilat ne qysh moti i kemi rekomanduar, janë vetëm disa nga veprimet me të cilat do të mund të përmirësohej kjo gjendje. Qeveria nuk e ka pasur fajin për shtrenjtimin e çmimeve në tregjet e jashtme, por ajo ka shumë faj në politikat e brendshme, që s’po e merr as mundin minimal për të bërë zgjidhje. Është përgjegjësi e saj, është detyrë e saj”, ka thënë Blerand Stavileci.
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, sot, përmes një konference për media, ka denoncuar keqqeverisjen e Qeverisë Kurti, si pasojë e së cilës Kosova ka shënuar deficitin më të lartë tregtar, rreth 4.6 miliardë euro.
Stavileci ka thënë në këtë mënyrë, Qeveria po kontribuon aktivisht në thellimin e krizës së qytetarëve të Kosovës.
“Ditët po ecin e javët po shkojnë. Kriza ekonomike po thellohet. Qytetari e familja po varfërohet. Shporta e prodhimeve të konsumit po pakohet. E, Qeveria dhe Pushteti po vazhdojnë të struken dhe ta vështrojnë krizën nga jashtë, pa ndërmarrë masa konkrete ekonomike dhe fiskale që ta zbusin këtë rëndim të jetesës së qytetarëve dhe familjeve kosovare.”, ka thënë Stavileci.
Më tej, ai ka thënë se përtej rritjes së madhe të kostos së jetesës, me numra alarmantë dyshifrorë të inflacionit, e në mungesë të veprimeve e vendimeve konkrete të Qeverisë që do ta zbusnin këtë papërballueshmëri, kjo qeveri, ky pushtet, ka humbur sensin me realitetin ekonomik duke zgjedhur heshtjen e mosveprimin karshi pakënaqësisë së madhe qytetare.
“Të gjitha çmimet po vazhdojnë të rriten, e pagat nuk kanë lëvizur. Jeta çdo ditë e më shumë po shtrenjtohet. Në vend të dialogut social Qeveria ka imponuar injorimin institucional dhe kjo ka sjellë sot më shumë se kurrë pakënaqësinë më të madhe të qytetarëve dhe sindikatave të cilat po protestojnë vazhdimisht në kërkim të të drejtave elementare dhe të zgjidhjeve për t’i tejkaluar gjithë këto kriza. Derisa ne po flasim në vendin tonë çdo ditë po shohim raporte e vlerësime të reja në lidhje me ekonominë, të cilat do të duhej ta zgjonin nga gjumi pushtetin.”, ka thënë anëtari i Kryesisë së PDK-së.
Stavileci ka treguar se në bazë të dy publikimeve të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës shihet se Indeksi i tërësishëm i Çmimeve të Importit në Kosovë pësoi ngritje për 5.2% në Tremujorin e Parë 2022 krahasuar me Tremujorin e Katërt 2021.
Ndërkaq, sipas tij, krahasuar me Tremujorin e Parë 2021 Çmimet e Importit pësuan ngritje në një mesatare prej 21.8%.
“Tregtia e mallrave në vitin 2021 kishte deficit tregtar në vlerë prej afro 4 miliardë Euro, që tregon për një vlerë më të lartë për 39.2% krahasuar me vitin 2020. Pra, kemi rekord negativ importesh me 4,6 miliardë Euro. Të dhënat e tregtisë së mallrave për Importin e Kosovës në vitin 2021 kanë shënuar një rritje vjetore për 42.1% krahasuar me vitin 2020.”, ka thënë Stavileci.
Sipas tij, Qeveria duhet sa më parë të reagojë që gjendja edhe më tutje të mos degradojë.
“Meqenëse nuk po ka vizion, më e pakta që mund ta bëjë është që t’i imitojë qeveritë e rajonit dhe ato europiane që po u dalin në ndihmë qytetarëve me masa konkrete. Secila prej tyre ka përgatitur pako të lehtësimit dhe po zbaton politika e masa kreative dhe të guximshme në përballje me këtë krizë ekonomike. Heqja e TVSH-së dhe akcizës për një periudhë të caktuar, të cilat ne qysh moti i kemi rekomanduar, janë vetëm disa nga veprimet me të cilat do të mund të përmirësohej kjo gjendje. Qeveria nuk e ka pasur fajin për shtrenjtimin e çmimeve në tregjet e jashtme, por ajo ka shumë faj në politikat e brendshme, që s’po e merr as mundin minimal për të bërë zgjidhje.
Është përgjegjësi e saj, është detyrë e saj. Këtu nuk ka asnjë dyshim.”, ka thënë Blerand Stavileci.
Në fund, ai ka thënë se qytetarët duan zgjidhje.
“Qytetarët meritojnë zgjidhje. As këtu nuk ka asnjë pikë dyshimi”, ka përfunduar Stavileci.