Stavileci për zbutjen e masës për importin e mallrave nga Serbia: Dogana është e obliguar të veprojë sipas vendimit të Qeverisë

Prishtinë | 10 Kor 2023 | 14:08 | Nga Ekonomia Online

Dogana e Kosovës po vazhdon ta zbatojë vendimin e Qeverisë për ndalimin e importit të mallrave të prodhuara në Serbi. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci.

Ai saktësoi se Dogana është e obliguar të veprojë sipas vendimit të Qeverisë.

“Dogana në pikat kufitare, në bashkëpunim me Policinë, e zbaton këtë vendim”, ka thënë Stavileci.

Ai tutje ka sqaruar se vendimi fillestar i Qeverisë i referohej ndalimit të hyrjes së kamionëve me targa të Serbisë në Kosovë, por më pas vendimi u ndryshua dhe u lejua hyrja e kamionëve me targat e Serbisë, porse mbeti në fuqi masa e ndalimit absolut të importit të produkteve serbe.

Stavileci po ashtu ka sqaruar se nuk ka ndalesa as kur bëhet fjalë për transitin e mallrave të prodhuara në Serbi:

“Nuk ka asnjë vendim për kalimin transit të mallrave serbe me kamionë me targa të Serbisë, prandaj ata mund të hyjnë dhe të lëvizin nëpër Kosovë, sepse janë mallra që nuk janë të destinuara për tregun kosovar. Këto ditë nuk kemi pasur transit të mallrave serbe në këtë mënyrë, sepse ndoshta ekziston frika nga keqkuptimet e mundshme”, ka shtuar zëdhënësi i Doganës së Kosovës.

Të ngjashme