Stefanoviq: Anëtarët e BE-së nuk duhet të mbajnë anën e Kosovës

Prishtinë | 03 Tet 2023 | 09:47 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komisionit të Parlamentit të Serbisë për Punë të Jashtme, Borko Stefanoviq, ka thënë sot se vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) nuk duhet të mbajnë anën e Kosovës dhe se në vend të kësaj duhet të insistojnë në sundimin e ligjit, lirinë e mediave, luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe fundin e autokracisë.

Në fjalimin e tij në Konferencën Parlamentare të BE-së në Madrid, Stefanoviq ka thënë se nuk ka zgjidhje për Kosovën pa demokratizimin e rajonit dhe Serbisë, transmeton Paparaci.

“Masat kufizuese të BE-së ndaj Serbisë nuk duhet të vendosen ndaj qytetarëve, por është e nevojshme që Evropa ta shohë realisht përgjegjësinë e individëve, Kurtit për shkeljen e të drejtave dhe dhunës ndaj serbëve të Kosovës dhe autoriteteve serbe për lënien e serbëve në Kosovë pa polici, e cila çoi në dhunë dhe vdekje”, ka thënë Stefanoviq.

Ai ka shtuar se vetëm përmes një dialogu të bazuar në nevojën e pajtimit të popujve, që synon zgjidhjen e çështjeve jetësore, mund të sigurohet një paqe e qëndrueshme duke respektuar nevojat e serbëve dhe “pikëpamjen e tyre kushtetuese për statusin e Kosovës”.

Sipas tij, “çdo qasje tjetër” do të çojë në rritje të tensioneve dhe dhunës, si dhe në rrezikim të stabilitetit të të gjithë rajonit.

“Evropa pa Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor nuk është dhe nuk mund të jetë e plotë”, ka thënë Stefanoviq, duke shtuar se qytetarëve të Serbisë i takon të luftojnë për lirinë dhe demokracinë e tyre, si dhe të sigurojnë harmonizimin e politikave të tyre me BE-në dhe se Evropa duhet të gjejë një mënyrë që dhe ta bëjë të sigurt hyrjen për Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2030, siç u njoftua së fundmi nga zyrtarët e Brukselit”.

Të ngjashme