Ylli i Manchester Cityt, Raheem Sterling, thotë se është tejet e rëndësishme që klubet e niveleve elitare t’u japin më shumë mundësi personave të komuniteteve minoritare – si për pozita drejtuese, ashtu edhe për postin e trajnerit.
Pas vrasjes së amerikanit me ngjyrë, George Floyd, në Minneappolis më 25 maj, kur një polic i bardhë ia kishte mbajtur gjurin mbi qafë për gati nëntë minuta, protestat kundër racizmit dhe brutalitetit policor s’kanë të ndalur as në SHBA e as në shumë vende evropiane.
Sterling ka qenë që një kohë të gjatë i zëshëm ndaj incidenteve raciste, ndërsa një një intervistë të mëparshme e kishte quajtur racizmin një sëmundje që është problemi më i madh me të cilin po përballet shoqëria në epokën moderne.
Tani, Sterling e theksoi se problemi i racizmit është ende prezent në futboll, duke i përdorur si shembuj karrierat e ish-lojtarëve të Anglisë – Steven Gerrard, Frank Lampard, Sol Campbell dhe Ashley Cole – për të ilustruar argumentin e ti.
“Të katër ata kishin karriera të mrekullueshme, të katër luanin për Anglinë. Ata i kanë kryer të katërt kurset nevojshme, por dy ish-futbollistëve me ngjyrë s’iu është dhënë mundësia e duhur”, ka thënë Sterling.
“Ndryshimi është të kesh mundësi të flasësh në parlament, të kesh njerëz në hierarki të klubeve, të implementosh ndryshim dhe t’u japësh mundësi të barabarta jo vetëm trajnerëve me ngjyrë, por trajnerëve të të gjitha etnive”.
“Janë diku 500 lojtarë në Premierligë dhe një e treta e tyre janë me ngjyrë dhe ne nuk jemi aspak të përfaqësuar në hierarki, nuk jemi të përfaqësuar në stafet e trajnerëve. Nuk ka shumë fytyra te të cilët mund ta gjejmë veten dhe mund të flasim me ta”.