Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte ka dhënë leje që klubet profesioniste të futbollit të fillojnë me stërvitjet në maj, pas pezullimit shkaku i koronavirusit. Mirëpo, nuk është caktuar një datë për rifillimin e stinorit në Serie A.
Conte, duke njoftuar të dielën mbrëma gjatë një adresimi televiziv për zbutjen e masave kufizuese, ka thënë se stërvitjet individuale mund të rinisin më 4 maj, por lojtarët duhet të respektojnë rregullat e distancës sociale dhe se stërvitjet ekipore mund të nisin më 18 maj.
Italia ka qenë vendi i parë në Evropë që është goditur rëndë nga koronavirusi dhe Serie A është pezulluar nga 9 marsi. Fillimisht ishte tentuar që ndeshjet të luheshin pa shikues, por më pas u mor vendimi për pezullimin e ndeshjeve.
Conte ka thënë se Ministri i Sportit i Italisë, Vincenzo Spadafora do të punojë intenzivisht me shkenctarët dhe liderët e sportit për të siguruar që stërvitja të jetë e sigurt.
“Më pas do të shohim nëse do të mund të vazhdojmë me kampionatet që janë të pezulluara. Ne do të arrijmë këtë përfundim vetëm nëse e kemi të garantuar se është e sigurt. Nuk duam që sportistët tanë të sëmuren. Unë jam i pasionuar për futbollin. Si shumë italianë, fillimisht më është dukur e çuditshme që kampionati mund të ndërpritet apo pezullohet, por besoj se edhe tifozët më të flakët e kuptojnë se nuk kishte alternativë tjetër”, ka shtuar Conte.
Federata e Futbollit të Italisë (FIGC) u ka dorëzuar klubeve protokollin mjekësor për stërvitjet. Për fillim të stërvitjeve, secili klub do të formojë një grup të lojtarëve, stafit teknik, mjekëve dhe fizioterapeutëve, që do të testohen rregullisht dhe do të izolohen në stil të kampit stërvitor veror.
Po ashtu ka plane që për çdo pesë pajisje testuese për COVID-19 të përdorura nga klubet të durohet një, në mënyrë që të evitohen kritikat.
Kanë mbetur edhe 12 xhiro për t’u luajtur në Serie A, si dhe janë edhe disa ndeshje të mbetura. Juventusi kryeson me një pikë epërsi ndaj Lazios.