Stilistja me të cilën mburret Vushtrria

Vushtrri | 29 Nën 2016 | 21:27 | Nga Azize Curri

Imrane Uka është dizajnerja e vetme e veshjeve në Vushtrri. Para një viti, ajo ka hapur dhe dyqanin e saj të parë të rrobave me brendin “Imrane Uka”. Imranja ka pasur bashkëpunim me dizajnerët e mirënjohur Blerina Kllokoqi-Rugova dhe Valdrin Sahiti. Ndërsa veshjet e saj i kanë bartur disa nga figurat publike, si modelja Afrona Dika.

A ka qenë profesioni i dizajneres gjëja që ju keni ëndërruar gjithmonë apo ishte rastësi futja në këtë profesion?
Të them të drejtën ka qenë pak rastësi, pasi fillimisht unë si e vogël kam pasur dëshirë të punoj në bankë, më ka pëlqyer mënyra si janë veshur aty… Ka qenë vëllai im ai që më ka motivuar që të shkoj në shkollë të dizajnit, për t’u bërë dizajnere e veshjeve. Dhe tani është gjëja që e bëjë me shumë kënaqësi dhe vullnet.

Sa është e vështirë puna me dizajnim të veshjeve, dhe sa kohë ka që ju merreni më këtë profesion?
Puna si dizajnere kërkon shumë mund dhe përkushtim të vazhdueshëm. Ka rreth tri vjet që merrem me këtë punë, mirëpo ka diku afër një vit që unë kam hapur atelienë time këtu në Vushtrri.

Si është ndjenja e të qenit dizajnerja e vetme një vend dhe sa të ka ndihmuar kjo në zhvillimin e karrierës?
Po është e vërtetë jam e vetmja dizajnere në Vushtrri. Është ndjenjë shumë e mirë dhe të ndihmon shumë në zhvillimin e karrierës. Unë fillimisht kam punuar në një lokal dhe klientët nuk kanë qenë shumë të interesuar, pasi nuk kanë pasur informacion për punën time. Por pas marrjes së titullit dizajnere, prezantimit të koleksionit dhe pas hapjes së ateliesë time, suksesi im u bë edhe më i madh, pasi numri i klientëve për t’u furnizuar me veshje të dizajnuara nga unë u rrit dhe filluan të vijnë klient nga vende të ndryshme.

Cilët janë personat që të kanë motivuar më së shumti?
Familja është shtylla kryesore që një person të arrijë sukses. Motivimin më të madh e kam marrë nga vëllai im, Behar Uka, i cili edhe nëse unë ndonjëherë jam lodhur dhe kam menduar të dorëzohem, ai më ka motivuar të vazhdoja më tutje.

Keni bashkëpunuar edhe me Blerina Kllokoqi-Rugovën. Sa ka qenë e dobishme kjo përvojë?
Kur kam filluar shkollën e dizajnit, personi me të cilin kam pasur dëshirë të punojë ka qenë pikërisht Blerina. Dhe për fat të mirë, ende pa përfunduar shkollën e dizajnit, u bëra pjesë e stafit të Blerinës, ku menjëherë u punësova. Ishte një përvojë shumë e mirë. Gjatë asaj kohe, ne kemi bërë dizajne të ndryshme të veshjeve për figura të njohura publike, si për presidenten Atifete Jahjaga etj.

imrane

Ju më herët keni prezantuar koleksionin tuaj me brendin “Imrane Uka”. Sa kohë ju ka marrë dhe a do të ketë koleksion të radhës së shpejti?
Koleksioni im i parë është prezantuar në prill në “Prishtina Fashion Night”. Për rreth dy javë kam punuar së bashku me motrën. Veshjet kanë qenë solemne. Për ta realizuar këtë është dashur një angazhim shumë i madh, por njëkohësisht ka qenë edhe stresuese pasi ishte koleksioni im i parë. Ndërsa koleksioni i radhës do të jetë në prill 2017. Ky koleksion do të jetë më ndryshe dhe shpresoj më i bukur se herën e kaluar.

Cilat janë ngjyrat që përdorni më së shumti në veshjet që i dizajnoni?
Ngjyrat që i preferoj më së shumti janë e zeza dhe bordo apo vishnje e mbyllët. Por, puno edhe me ngjyra të tjera pasi shijet e klientëve janë të ndryshme.

Pasi ju dizajnoni lloje të ndryshme të veshjeve për femra, cilat i bëni më me qejf, fustanet apo veshjet e përditshme?
Të them të drejtën fustanet solemne i bëj me shumë dëshirë, por duke mos lënë anash as veshjet e përditshme.

Dizajnoni veshje edhe për figura publike, a mund të na e zbuloni ndonjërin nga ta?
Po dizajnoj edhe për figura publike. Një prej tyre është edhe modelja Afrona Dika; ka pasur edhe figura të tjera publike me të cilat kam bashkëpunuar, por me Afronen vazhdoj ende.

A pajtohen klientët që ju të bëni përzgjedhjen e modelit të veshjes, apo vendosin vetë se çka dëshirojnë?
Në shumicën e rasteve, klientët vijnë me modelet e veta, por prapë se prapë unë gjithmonë jam ajo që ndërhyj dhe ju tregoj se çka ju përshtatet e çka jo atyre. Dhe ato nuk hezitojnë t’i pranojnë këshillat e mia.

Punoni vetëm me materialet tuaja, Sa lloje keni dhe ku furnizoheni më së shumti?
Ne kemi 100 lloje të ndryshme të materialeve, ndërsa vendet ku furnizohemi janë Dubai dhe Turqia, nga ku vazhdimisht i marrim modelet e modës së fundit.

Cilët janë personat që do të kishit dashur t’i kenë të veshura dizajnet tuaja?
Stili i Jennifer Lopezit dhe Beyonces më pëlqen shumë, pasi janë femra që kanë një mënyrë të veçantë të veshjes dhe kam një përshtypje, ose më saktë them, jam e bindur se disa nga fustanet e mia do t’iu përshtateshin shumë.

Cila është këshilla juaj për ata të cilët dëshirojnë të merren me dizajnimin e veshjeve?
Të gjithë atyre që dëshirojnë të merren me dizajn, ju kisha thënë që dizajni është profesion shumë i mirë dhe ia vlen të merresh me të. Natyrisht që ka momente të vështira, por në fund vjen lehtësimi kur sheh se ke bërë diçka të bukur. Me punë, përkushtim dhe dashuri ndaj këtij profesioni arrihet ajo që duam.

Më poshtë mund të shihni disa nga fustanet e punuara nga Imrane Uka:

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme