Zëvendëskryeministri i Kosovës nga Lisa Serbe Branimir Stojanoviq ka thënë se Aleksandar Jabllanoviq nuk e ka përkrahjen e përfaqësuesve serbë, transmeton Koha.net.
“Jablanoviq nuk është dhe nuk do të jetë kryetar i Listës Serbe. Kjo dëshmon se ai ka pranuar të bëhet instrument në duart e politikanëve kosovarë dhe punon kundër interesave serbe”, ka thënë për rts Branimir Stojanoviq.
Pozita e kryetarit të Listës Serbe është më shumë formale dhe pos udhëheqjes e delegimit në këshillat zgjedhorë, nuk ka ndonjë rëndësi të madhe.
“Por ka rëndësi simbolike. Janë rreth 300 mijë euro që brenda vitit paguhet aktiviteti i deputetëve dhe është e qartë se kjo është pre interesante për disa. Ajo që shkruhet në ndonjë regjistër nuk do të thotë se ka përkrahjen e popullit serb e këtë përkrahje Jabllanoviq nuk e ka”, thotë Stojanoviq.
Sipas fjalëve të Stojanoviqit, serbët në të kaluarën kanë treguar si të sillen ndaj njerëzve që tradhtojnë interesat serbe dhe ata do t’i dënojnë sjelljet e tilla.
Deputetë e Listës Serbe takohen sot në Prishtinë për të diskutuar e për të vendosur nëse Aleksandar Jablanoviq i shkarkuar do të bëhet sërish kryetar i Listës Serbe.