Stoltenberg: Moment historik për Maqedoninë e Veriut, tani në NATO do të valojnë 30 flamuj

Prishtinë | 30 Mar 2020 | 16:21 | Nga Ekonomia Online

Pasi mbaroi procedura e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, flamuri i shtetit tonë u ngrit para selisë së Aleancës në Bruksel.

Gjatë ceremonisë solemne, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se anëtarësimi në NATO është i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut, stabilitetin e Ballkanin Perëndimor dhe i mirë për sigurinë botërore.

Stoltenberg theksoi se tani e tutje Maqedonia e Veriut ka aleatët më të mirë në botë, duke theksuar “bashkë jemi më të sigurtë sesa të vetëm”.

“30 flamuj tani do të valojnë. Ky është simbol i unitetit dhe solidaritetit tonë. Ky është moment historik për Maqedoninë e Veriut, që vjen pas vitesh përkushtim dhe angazhim për reforma. Në frymën më të mirë të Aleancës dhe guxim, Maqedonia e Veriut dhe Greqia arritën kompromis për emrin. Marrëveshja e Prespës mundësoi anëtarësimin në NATO dhe marrëdhënie të mira ndër-fqinjësore dhe ardhmëri më të ndritshme “.

Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski nga ana tjetër tha se ky anëtarësim i merituar është garancë për të ardhme të sigurtë të vendit.

“Rruga ishte e gjatë, por shpërblimi që erdhi sot me pamjen e flamurit tonë në selinë e NATO-s në Bruksel është e merituar. Të jeni krenar bashkëqytetarë të mi të nderuar, ky është simbol i të ardhmes së sigurtë, prosperuese të shtetit tonë. Sot vërtetë ballafaqohemi me një luftë tjetër, luftë me Koronavirusin por për një moment do t’i japim të drejtë vetes të gëzohemi, të regjistrohet se sot është ditë për t’u mbajtur mend, ditë historike.”.

Të ngjashme