Janë pritur në takim studentë të Fakultetit Juridik të universitetit publik “Hasan Prishtina” dhe atyre private nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Kujtim Munishi, e organizuar nga “Lëvizja Fol”, në kuadër të projektit “Sektori i Drejtësisë në Kosovë-i përgjegjshëm, i besueshëm dhe transparent”.
Në këtë takim, Kryeprokurori Munishi, i njoftoi studentët me legjislacionin e Prokurorit të Shtetit, me mënyrën e funksionimit, strukturën organizative të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, sfidat dhe të arriturat e kësaj prokurorie. Përmes kësaj vizite po ashtu, studentët u njohën me mundësitë e programit një vjeçar për praktikantë vullnetarë për studentët e Fakultetit Juridik, me qëllim të zhvillimit të aftësive dhe shkathtësive të tyre profesionale, të cilat do t’ju shërbejnë gjatë punës së tyre në një të ardhme të afërt.
Në shoqërimin e kryeprokurorit dhe administratores së kësaj prokurorie, studentët u njohën për së afërmi me mënyrën e realizimit të punës dhe praktikat organizative të kësaj prokurorie.
Në fund të këtij takimi, Kryeprokurori Munishi falënderoi të pranishmit për vizitën në këtë prokurori, si dhe inkurajoi të punojnë fortë për ambiciet e tyre dhe të aplikojnë në programe të cilat u japin mundësi të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë, e po ashtu të kontribuojnë në këtë fushë.