Fakulteti i Studimeve Islame, për nder të 17 shkurtit-Ditës së Pavarësisë së Kosovës, organizoi aktivitetin për dhurimin vullnetar të gjakut.
Artan Jashari, student në këtë fakultet, tha se është obligim i secilit që të dhurojë gjak, ngase konsideron se çdo njeri mund të ketë nevojë për shërim.
Jeton Zenuni, mjek në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut, tha për Ekonomia Online se aksioni i sotëm ka rezultuar të jetë shumë i suksesshëm, duke bërë të ditur se kanë grumbulluar më shumë se 50 doza të gjakut.
Ai bëri të ditur se nevojat për gjak në QKUK janë të shumta, andaj apeloi tek të gjitha institucionet, por edhe qytetarët që të vetorganizojnë aksione të tilla.
“Aksionin e studentëve të FSI-së për dhurimin e gjakut e vlerësojmë si shumë të qëlluar dhe të suksesshëm. Këtu grumbulluam mbi 50 doza. 30 nga meshkujt dhe 20 nga femrat. Ne çdo herë jemi në teren, ngase nevojat për gjak janë të shumta dhe nganjëherë kemi edhe mungesë të tij. Apelojmë tek të gjitha institucionet që të organizohen dhe të dhurojnë gjak”, tha ai.
Dekani i këtij fakulteti, Fahrush Rexhepi, tha për Ekonomia Online se qëllimi i këtij aktiviteti është që të solidarizohen dhe të ndihmojnë të sëmurit, por edhe të festojnë 9-vjetorin e pavarësisë.
“Mendojmë që nevojat për gjak janë të shumta dhe ne si FSI kemi menduar që me këtë aktivitet të kontribuojmë sadopak në këtë aspekt. FSI përveç aktivitetit të saj në aspektin e studimit, herë pas here organizon edhe aktivitet të sferave tjera, si kulturore, sportive, por edhe humane”, tha Rexhepi.
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Qendrën për Transfuzionin e Gjakut, rreth 85 për qind e nevojave të pacientëve i mbulojnë dhuruesit vullnetarë të gjakut, derisa për 15 për qind të pacientëve, ende vazhdojnë t’i mbulojnë familjarët.
Vetëm për nevojat e QKUK-së brenda 24 orëve, nevojiten 150 doza gjaku.