Organizatat e studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, po e kundërshtojnë mbajtjen e zgjedhjeve në këtë universitet dhe shkarkimin e anëtarëve të Bordit nga ana e ministres Hykmete Bajrami, raporton Ekonomia Online.
Ata kanë paralajmëruar një protestë për nesër në ora 11:00, para Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Pas mbledhjes së këtyre organizatave, Florian Bivolaku kryetar i organizatës SKOP tha se ata kundërshtojnë kohën kur po mbahen këto zgjedhje.
“Interesi i studentëve është si të mbarojnë ata këtë vit akademik. Duhet të mendohet për zëvendësimin e ligjëratave të humbura dhe jo për gjëra të tjera dytësore. Kundërshtojmë organizimin e zgjedhjeve. Duhet të ketë fushatë zgjedhore. Zgjedhjet për ne janë të papranueshme dhe të pajustifikueshme”, tha Bivolaku.
Kurse, Flamur Pireva kryetar i organizatës Studim Kritik dhe Veprim, ka thënë se është e papranueshme emërimi i anëtarëve të ri të Këshillit Drejtues.
“Për ne është i papranueshëm emërimi anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues nga Hykmete Bajrami. Sot kemi qenë të ftuar në mbledhje. Nesër para Ministriaë së Arsimit në ora 11:00 bashkë më shoqëri civile, aksion protestues për kundërshtimin e Hykmete Bajramit”, tha ai.