Studentët e Fakultetit Ekonomik po kërkojnë rikthimin e programit e praktikës në Qeverinë e Kosovës. Ata janë shprehur të shqetësuar lidhur me numrin e vogël të mundësive për praktikë për studentët, raporton Ekonomia Online.
Unioni i Pavarur të Studentëve të Kosovës (UPSK) në këtë fakultet ka dërguar kërkesë në Zyrën e Kryeministrit, ministrinë e Financave dhe atë Arsimit, ku ka kërkuar që sa më shpejt të merren hapa konkret që të mundësohet praktikë në këto institucione për të paktën 1000 studentë të këtij fakulteti, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.
Dardan Qorri, kryetar i këtij unioni në Fakultetin Ekonomik, tha se vitin e kaluar është pranuar kërkesa që punë praktike tre mujore të përfitojnë 600 studentë, mirëpo sipas tij, sivjet ështw paralajmëruar se do të marrin vetëm nga 50 studentë.
“Në vitin 2017 kemi kërkuar që të jenë 600 studentë dhe përafërsisht është plotësuar numri i kërkuar. Mirëpo, pas ligjeve që i kanë hartuar këto ministri kanë thënë që këtë vit do t’i marrin vetëm nga 50 studentë, një ministri apo dy, gjë që ky numër për ne është shumë i vogël dhe kemi ardhur me kërkesë që së paku 1 mijë studentë të jenë përfitues të kësaj praktike”, ka deklaruar Qorri.
Qorri ka kërkuar takime me drejtuesit e institucioneve lidhur me këtë çështje, derisa ka thënë se nuk do të ndalen derisa kërkesat e studentëve të realizohen.
“Hapat të cilët ne i kemi ndërmarrë janë kërkesa dërguar kryeministrit, ministrit të Financave dhe atij të Arsimit. Me këto kërkesa është janë kërkuar edhe takime, por të cilat kanë hasur në vesh të shurdhër. Deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje as nga zyra e kryeministrit e as nga ministritë në fjalë, por ne nuk do të ndalemi derisa për këto kërkesa të marrim përgjigje pozitive”, ka thënë Qorri për EO.
Sipas Qorrit rreth 1200 studentë të ekonomikut që diplomojnë çdo vit përballen me problemin e qasjes në tregun e punës dhe kriterin që ata të kenë së paku të kenë 2 vjet përvojë pune.
Andaj, ai thotë se ky program të cilin po e kërkojnë do tu ndihmonte studentëve që të zbusin këtë kriter.
“Studentët e Fakultetit Ekonomik janë studentët të cilët diplomojnë më së shumti çdo vit, rreth 1200 studentë të cilët dalin të diplomuar nga ky universitet dhe deri te mundësia që ata t’i qasen tregut të punës ka shumë vështirësi. Një ndër ato vështirësi është ajo se secili student që aplikon kërkohet së paku 2 vjet përvojë pune dhe ne kemi pare të arsyeshme që me këtë rast t’i ndërmarrim disa hapa dhe tu drejtohemi disa ministrive dhe zyrë së kryeministritme disa kërkesa të cilat janë koherente dhe do t’i ndihmojnë studentëve në mënyrë që ata sado pak ta zbusin kriterin e përvojës 2 vjeçare të punës”, ka shtuar Qorri.
Këtë vit, megjithëse muaji maj është afruar dhe praktikat zakonisht ofrohen për muajt e verës, asnjë nga këto institucione nuk ka hapur thirrje për praktikantë.
Qorri ka thënë për EO se nëse kërkesat e tyre trajtohen pa vonesa do të mund të mbërrinin muajt e verës për të realizuar praktikën.
Gjatë vitit 2017 studentët kanë kryer praktikën kryesisht në ministrinë e Financave dhe atë të Arsimit, ku sipas tyre ata janë përgatitur për tregun e punës pas diplomimit.
Disa prej tyre që kanë treguar rezultate të mira tani vazhdojnë punojnë në këto ministri, ndërsa ka disa të tjerë që kanë fituar kohëzgjatje të praktikës nga tre deri në gjashtë muaj.