Studentja e Arkitekturës humb betejën me leukeminë

Prishtinë | 02 Shk 2018 | 23:28 | Nga

Anxhela Nocka, 22 vjeç, ndërroi jetë mbrëmjen e së premtes në Spitalin e Budapestit.

Studentja e vitit të katërt të Arkitekturës humbi betejën me leukeminë akute, nga e cila u prek në mënyrë të befasishme në janar të vitit 2017.

Anxhela Nocka u bë e njohur një vit më parë, kur një solidaritet i jashtëzakonshëm qytetar pasoi në mënyrë të rrufeshme thirrjen që familjarët dhe shokët e saj bënë në rrjetet sociale, gazeta dhe televizione, për mbledhjen e fondeve që do të bënin të mundur kurimin e saj jashtë vendit.

Nisma e studentëve të Arkitekturës “Bëje për Anxhin”, që përfshiu organizimin e dhjetëra aktiviteteve të bamirësisë, shënoi një rast unik që bashkoi mijëra qytetarë të thjeshtë, biznese private dhe institucione shtetërore, në një aksion të përbashkët humanitar që mundësoi qëndrimin e saj 1-vjeçar në një qendër të specializuar në Budapest të Hungarisë.

Bashkë me dëshirën e madhe për të jetuar, kjo dashuri e madhe njerëzore inkurajoi studenten e re për të luftuar fort, me gjithë vështirësitë e mëdha me të cilat do të përballej ditë pas dite.

Pasi iu nënshtrua kimioterapisë intensive, duke mos humbur shpresat deri në momentet e fundit, Anxhela Nocka nuk ia doli t’i mbijetojë sëmundjes së rëndë, duke lënë në mes ëndrrat dhe dëshirat e saj.

Mes dhimbjes së pafund për këtë humbje të madhe, familjarët e saj gjejnë forca të falënderojnë të gjithë ata që besuan fort se Anxhela meritonte të jetonte, duke dhënë një kontribut të paçmuar për t’i dhënë asaj shansin e fundit për jetën. Atë jetë, nga e cila ajo largohet sot gjithë dinjitet, sepse bëri gjithçka deri në kufirin e të pamundurës, kur trupi u dorëzua përgjithmonë, por jo shpirti i saj.

Ceremonia mortore për t’i dhënë Anxhela Nockës lamtumirën e fundit do të zhvillohet në ditët që vijnë, pasi arkmorti me trupin e saj të mbërrijë në Shqipëri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme