Studentja, shtetase e SHBA-së, ra në tokë ndërsa po largohej nga xhandarmëria, filluan ta shkelin dhe ta godasin në shpinë

Prishtinë | 03 Kor 2025 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

Në profilin në Instagram “Mašinci u blokadi” janë publikuar fotografi të një studenteje që u sulmua brutalisht nga policia gjatë aksionit të mbrëmshëm para fakulteteve teknike në Beograd. Në postimin me titull “Tiranisë t’i vihet këmba në fyt: Kjo është detyra më e shenjtë njerëzore”, thuhet se studentja është shtetase amerikane.

“Shoqen tonë e sulmuan fizikisht pjesëtarët e Xhandarmërisë në këndin midis Bulevardit të Mbretit Aleksandër dhe rrugës së Patriarkut Gavrilo! Gjatë përpjekjes për t’u larguar nga Xhandarmëria, në bllokadën te ETF, ajo ra në tokë. Xhandarët më pas filluan ta shkelin dhe ta godasin me shkop gome në shpinë ndërsa ajo qëndronte e shtrirë. Pastaj e shtynë me mburoja, dhe dy prej tyre tentuan ta godasin me shkop në kokë. Megjithatë, një xhandar u tha të ndalnin. Atëherë e tërhoqën në anë dhe vazhduan ta shkelin deri sa doli nga turma dhe u ul në trotuar”, thuhet në postim.

“Shoqes sonë iu ekzaminuan plagët në Qendrën e Urgjencës, ndërsa sulmin e ka raportuar edhe në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi është shtetase e tyre. Aktualisht po rikuperohet nga lëndimet dhe stresi”, thonë studentët dhe shtojnë:

“Kjo mund të kishte ndodhur kujtdo prej nesh. Dhuna ndaj studentëve po bëhet gjithnjë e më e shpeshtë dhe më e ashpër. Brutaliteti policor duhet të ndalet!”

Të ngjashme