Shumica e personave që kalojnë Covid-19 janë të mbrojtur nga një riinfektim i mundshëm për të paktën 5 muaj. Këtë e thotë një studim i drejtuar nga Shëndetësia Publike në Angli.
Sipas shkencëtarëve, ata që e kanë kaluar sëmundjen përballen me një rrezik 83% më të ulët për tu prekur sërish, krahasuar me personat e painfektuar më parë. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se disa njerëz mund të infektohen sërish dhe t’ia transmetojnë virusin të tjerëve.
Studiuesja Susan Hopkins, e cila drejtoi studimin, tha se rezultatet ishin inkurajuese dhe sugjeronin se imuniteti zgjat më shumë nga sa mendohej, e megjithatë mbrojtja nuk është absolute.
Vecanërisht shqetësues është fakti se disa prej personave të riinfektuar kishin nivele të larta të ngarkesës virale, madje edhe pa simptoma, dhe ekziston rreziku që t’ia ngjisin të tjerëve.
”Kjo nënkupton se, nëse besoni se e keni kaluar sëmundjen dhe jeni të mbrojtur, mund të rrini të qetë se ka pak gjasa të zhvilloni simptoma të rënda në të ardhmen, por ka rrezik që të infektoheni dhe t’ia transmetoni virusin të tjerëve.”, tha shkencëtarja britanike Susan Hopkins.
Nga qershori deri në nëntor të 2020-tës, 21 mijë punonjës të shëndetësisë rreth Britanisë së Madhe janë testuar rregullisht për të parë nëse janë të prekur nga Covid, apo nësë kanë qenë të infektuar më herët. Mes atyre pa antitrupa, 318 u infektuan brenda kësaj periudhe, ndërsa mes 6614 personave me antitrupa, vetëm 44 u riinfektuan. Shkencëtarët do të vijojnë të monitorojnë punonjësit e shëndetësisë për 12 muaj për të parë sa zgjat imuniteti.